Pendarovski: Fitore të dyfishtë – alternativa izolimi total i vendit!

Pasi LSDM-ja zyrtarizoi mbështetjen për Stevo Pendarovskin për kandidaturën e tij për mandat të dytë presidencial, ai në Kongresin partiak theksoi se pret fitore të dyfishtë.

Vlerësoi se anketat që paraqiten nga VMRO-DPMNE-ja janë të rrejshme kurse trendet tashmë kanë ndryshuar.

“Fitore të dyfishtë për shkak se qytetarët e dijnë se alternativa e ofertës sonë, me të gjitha gabimet që i pranojmë dhe për të cilët publikisht kemi kërkuar falje dhe do të kërkojmë falje, është shteti i robëruar, maltretimi i administratës, krime me përmasa enorme dhe izolimi total i vendit nga integrimet euroatlantike” – tha Stevo Pendarovski, kandidat presidencial.

Sipas Pendarovskit, teza e opozitës maqedonase është ta marrin pushtetin kurse ambasadorëve u thonë që në gjysmën e dytë të mandatit do të përpiqen që të dakordohen me Bullgarët. Pendarovski vlerëson me me këto alternativa Maqedonia e Veriut do të jetë në margjinat e Evropës.

“Nëse arrijnë që Maqedonasit t`i futin në Kushtetutën e Bullgarisë, t`i detyrojnë Bullgarët ta ndryshojnë kushtetutën e tyre dhe nëse arrijnë që Maqedonasit e atjeshëm të njihen si pakicë kombëtare, unë do të jem i pari që do të anëtarësohem në VMRO-DPMNE”  – tha Stevo Pendarovski, kandidat presidencial.

Gjatë së dielës Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska njoftuan se për disa orë kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme të qytetarëve, në mbështetje të kandidaturave të tyre.

Mbështetje qytetare kanë siguruar edhe Bujar Osmani nga BDI-ja, Arben Taravari nga koalicioni VLEN, Biljana Vankovska nga “Levica”, Stevço Jakimovski – “Grom” dhe Maksim Dimitrievski nga “Znam”. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share