Peach: Aksioni i së premtes e ka dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës

I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, mbrëmë ka arritur në Prishtinë për të zhvilluar takime me krerët e shtetit dhe faktorët tjerë relevantë rreth situatës së fundit të krijuar në veri të vendit.

Në njoftimin e lëshuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, thuhet se Peach ka zhvilluar takime me kryeministrin Albin Kurti, me kryediplomaten Donika Gërvalla, me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, me zyrtarë të KFOR-it dhe me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

“Në takimet me qeverinë, kam përcjellë një mesazh shumë të qartë: aksioni i qeverisë së Kosovës për t’i imponuar kryetarët e komunave me forcë nëpër objekte komunale ishte i pamatur dhe ka pasur pasoja dëmtuese. Nevoja është që të gjitha palët të depërshkallëzojnë menjëherë”, ka thënë Peach pas takimeve, raporton Klankosova.tv.

“I kam përcjell me vëmendje zhvillimet dhe kam biseduar me homologë në Uashington, Bruksel e më tej. Ato biseda ma kanë bërë të qartë se ngjarjet e fundit i kanë shkaktuar dëm imazhit ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionit të saj me aleatë”.

“Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar krah Kosovës në kohët më të mira e më të këqija, si mik e si mbështetës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, por aksionet e njëanshme vetëm sa do ta bëjnë edhe më të vështirë këtë”, ka theksuar Peach. /Klankosova.tv

Lexo gjithashtu
Total
0
Share