PE sot diskuton pesë dokumentet për sulmin në Banjskë

Agresioni i Serbisë i datës 24 shtator do të jetë sot temë e diskutimit në Parlamentin Evropian.

Deputetët aty do të diskutohen pesë draft-rezoluta për situatën në veri.

Në draft-rezolutën e propozuar nga “S&D Group”, që përbëhet nga socialistët dhe demokratët i është bërë thirrje Bashkimit Evropian që “të ndryshojë urgjentisht politikën e saj zbutëse ndaj Serbisë”.

Po ashtu në pikën 13 të draft-rezolutës së “S&D Group” bëhet thirrje që masat e marra nga BE-ja ndaj Kosovës të hiqen menjëherë.

Draft-rezolutë në Parlamentin Evropian ka dorëzuar edhe grupi politik pro-evropian, të cilët i kanë bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë duke u bazuar në gjetjet e hetimit.

Po ashtu, në draft-rezolutën e këtij grupi i është bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet e saj për ta izoluar Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare.

Draft-rezolutë ka dorëzuar edhe grupi i “Të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane”, grup ky që përbëhet kryesisht nga parti politike të gjelbra dhe regjionale.

Ky grup në Parlamentin Evropian ka dorëzuar një draft-rezolutë prej 24 pikash, ku në pikën 2 kërkohet që të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë, teksa ka përmendur edhe sulmet gjatë muajit maj ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Po ashtu, i është bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës që të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë ose në sulmet e majit të vitit 2023, apo edhe nëse autoritetet serbe s’janë të gatshme që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës.

Tutje, ky grup politik në Parlamentin Evropian, në draft-rezolutë ka shprehur shqetësimin nga provat që lidhin grupet kriminale në veri të Kosovës me shtetin e Serbisë.

Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015”.

Agresionin në Banjskë e ka dënuar edhe grupi i Kosnervatorëve dhe Reformistëve Evropianë që vijnë nga qendra e djathtë.

Por, të njëjtit në draft-rezolutën e cila përbëhet nga nëntë pika, kanë kërkuar të hetohet Serbia dhe të mbahet përgjegjëse për veprimet e grupit terrorist.

Ky grup është shprehur se i mbështet thirrjet për zgjedhje në veri të Kosovës “dhe inkurajon autoritetet që të zbatojnë të gjitha politikat e nevojshme për të siguruar zgjedhje të drejta, demokratike dhe paqësore”.

Ndërsa, draft-rezolutën e pestë në Parlamentin Evropian e ka dërguar grupi më i madh dhe më i vjetër në parlament i quajtur “PPE”, që është grup i qendrës së djathtë.

PPE-ja e ka dënuar fuqishëm inkursionin terrorist në Kosovë dhe sulmin kundër policëve të Kosovës në Banjskë, teksa ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të dyfshojnë përpjekjet e tyre “për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila po bëhet duke përdorur autoambulanca dhe objektet e kishës që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share