PE-ja voton raportin Picula: Politikë me rregulla të reja për zgjerimin e BE-së

Parlamenti Europian ka votuar në seancë plenare në Strasbourg raportin e eurodeputetit Tonino Picula mbi zgjerimin e Bashkimit Europian me 435 vota pro, 120 kundër dhe 78 abstenim . Në prezantimin e këtij raporti,

Tonino Picula është shprehur, se zgjerimi nuk është vetëm çështje fondesh të paraanëtarësimit, apo koridoresh infrastrukturore, por përfaqëson vlera të vërteta dhe parime. Ai është ndalur te risitë e raportit:

“Duhen afate të qarta për mbylljen e negociatave të anëtarësimit me vendet në procesin e anëtarësimit. Këto negociata duhet të përfundojnë në fund të këtij dhjetëvjeçari. Duhet të aplikohet shumicë e cilësuar për çeljen e negociatave si dhe për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli të negociatave të anëtarësimit. Vendimi përfundimtar do t’i nënshtrohet sërish unanimitetit, por së paku do të krijohet besimi, se disa çështje mund të zgjidhen përmes negociatave. Nuk mund të humbim kohë sërish si në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut” – tha Tonino Picula, eurodeputet.

Nga ana tjetër, në raport renditen edhe emërimi i një shefi negociator për çdo shtet anëtar për të rritur transparencën për negociatat e anëtarësimit dhe komunikimin me publikun. Një pikë e rëndësishme është dhe përdorimi i treguesve që përdoren për shtetet anëtare në fushën e shtetit ligjor dhe për shtetet kandidate. Qëllimi është vlerësimi dhe raportimi përmes mekanizmit të shtetit ligjor dhe tabelës e rezultateve të drejtësisë për të evituar mungesën e progresit apo regresit në fushën e shtetit ligjor.

“Nevojitet krijimi i kuadrit për një bashkëpunim efektiv midis zyrës së prokurorit europian dhe vendeve kandidate për të proçeduar shpërdorimin e fondeve të BE-së. Krijimi i një task force të dedikuar për shtetin ligjor për të asistuar këto vende. Këtu duhet të përfshihen gjyqtarët dhe prokurorët nga shtetet anëtare. Duhet krijuar përfshirja progresive në qasjen lidhur me ntregun e përbashkët, politikave dhe inisiativave të BE-së, përfshirë dhe fondeve të paraanëtarësimit në disa fusha, në mënyrë që qytetarët t’i ndiejnë përfitimet e anëtarësimit përgjatë gjithë procesit dhe jo vetëm në fund” – deklaroi Tonino Picula, eurodeputet

Gjatë debatit, komisioneri Oliver Varhelyi ka deklaruar, se ky vit shënon një arritje tê konsiderueshme në politikën e zgjerimit të BE-së, me hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut dhe propozimin për dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën të kushtëzuar me plotësimin e disa kritereve lidhur me 14 prioritetet e vendosura më parë.

Përgatiti: Erisa Zykaj – tv klan Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share