PE-ja voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Ekipet negociuese nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Europian arritën marrëveshjen përfundimtare të shumëpritur për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen për një periudhë afatshkurtër.

Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Parlamentit dhe Këshillit, sic njofton korespodentja e Tv Klan nga Brukseli, Erisa Zykaj,  do të bëjnë të mundur që qytetarët e Kosovës të pajisur me pashaporta të lëvizin pa viza në zonën Shengen për qëndrime deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore duke filluar nga janari  2024. “Përjashtimi nga deyrimi për vizat do të hyjë në fuqi kur sistemi i informimit dhe autorizimit mbi udhëtimet të BE-së (ETIAS ) të jetë operacional, dhe në çdo rast deri në vitin 2024” thuhet në vendim.

Me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, komisioni parlamentar për liritë civile, drejtësinë dhe çështjet e brendshme në Parlamentit Europian dha dritën jeshile për miratimin përfundimtar të këtij legjislacioni në 23 mars. Pas votimit, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Thijs Reuten duke rikujtuar se Parlamenti Europian ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën që prej 2016, u shpreh: “Kosova ishte e fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk kishte ende një regjim udhëtimi pa viza me BE-në. Parlamenti Europian ka vite që po bën presion të palodhur për këtë vendim. Më në fund, kosovarët do të mund të udhëtojnë drejt BE-së për pushime, vizita familjare dhe udhëtime biznesi pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e saj evropiane.”

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Bashkëligjvënësit mirëpresin përparimin që ka bërë Kosova në udhërrëfyesin e saj për liberalizimin e vizave. Vendi inkurajohet të harmonizojë politikën e tij të jashtme të vizave me atë të Bashkimit Europian. Ndërkohë shtetet anëtare të BE-së që nuk kanë ende marrëveshje ripranimi me Kosovën duhet të lidhin marrëveshje të tilla. Eurodeputetët theksojnë se Kosova duhet të respektojë parimin e mos-kthimit gjatë përmbushjes së detyrimeve të saj. Pas kësaj marrëveshje, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një kuadër të ngjashëm vizash drejt zonës Shengen./Erisa Zykaj – Tv Klan, Bruksel/

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share