Raporti i PE-së për Kosovën: BE-ja të përgatisë opinionin për aplikimin, problem gjyqësori dhe përfshirja e kufizuar e komunitetit serb

Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian ka aprovuar raportin mbi ecurinë e Kosovës në integrimin europian të eurodeputetes Viola von Cramon-Taubel. Ky raport nxjerrë në pah mbështetjen e dhjetë vende anëtare të BE-së për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i kërkon BE-së që të përgatisë pa vonesë të mëtejshme një opinion mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Nga ana tjetër, eurodeputetët konsiderojnë, se “pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme”, dhe raporti i bën thirrje Spanjës, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Greqinë, që t’a njonin Kosovën si shtet sovran pa vonesa të mëtejshme.

Sipas këtij raporti, ritmi i procesit të anëtarësimit të Kosovës do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Raporti përshëndet rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por ngrihet shqetësim për sistemin e drejtësisë në Kosovës, që vazhdon të jetë joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndërhyrjeve të panevojshme. Eurodeputetët inkurajojnë autoritetet e Kosovës që të zbatojnë instrumentet ekzistuese në mënyrë më efektive për të mbrojtur pavarësinë, efikasitetin dhe integritetin e sistemit të drejtësisë. Por deputetët europianë shprehin gjithashtu keqardhje për faktin se iniciativat për përfshirjen e komunitetit serb në strukturat politike, sociale dhe ekonomike të Kosovës mbeten shumë të kufizuara. Ata i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të angazhohen për dialog të vërtetë për të rritur besimin reciprok.

Ata gjithashtu i bëjnë thirrje qeverisë të rrisë bashkëpunimin e saj me shoqërinë civile në vendimmarrje, si dhe të marrë masat e duhura për të parandaluar penalizimin e gazetarëve dhe aktivistëve për të folur për çështje me interes publik.

Përgatiti: Erisa Zykaj – tv Klan, Bruksel

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share