PE-ja: Normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë në bazë të njohjes reciproke

Eurodeputetët ashpërsojnë zyrtarisht tonet ndaj Serbisë në raportin për ecurinë e vendit në integrimin europian të hartuar nga eurodeputetit Vladimir Bilçik dhe aprovuar nga komisioni i punëve tê jashtme të Parlamentit Europian. Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së të rishqyrtojë masën e ndihmës financiare të ofruar nga BE-ja për Serbinë nëse mbështetja e Serbisë për regjimet antidemokratike vazhdon. Raportii bën thirrje Komisionit Evropian të sigurojë që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të BE-së.

Lidhur me integrimin europian, eurodeputetët theksojnë me shqetësim, se që pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Serbinë të 2020, vlerësimi për gjendjen e përgjithshme të përparimit në 33 kapitujt e negociatave nuk është përmirësuar dhe se, në vitin 2022, Komisioni Europian nuk zbuloi “progres të mirë” në asnjë kapitull. “Negociatat e anëtarësimit me Serbinë duhet të avancojnë vetëm nëse vendi përputh politikën e jashtme me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat e lidhura me BE-në” shprehen eurodeputetët në këtë raport.

Nê raport thuhet, se dinamika e procesit të anëtarësimit me Serbinë do të përcaktohet nga progresi në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike, përkushtimi ndaj të drejtave dhe vlerave të përbashkëta evropiane, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, që konsiderohet si prioritet.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialogun Beograd-Prishtinë në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme bazuar në parimin e njohjes reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme.

Përgatiti: Erisa Zykaj – tv Klan Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share