Pasioni për udhëtimet me aeroplan, shpërblehen motër e vëlla

Ata kanë një pasion të veçantë, atë të udhëtimeve me aeroplan. Por këtë herë Mack dhe Zara Rutherford shënuan një rekord të ri në fushën e aviacionit duke u bërë fituesit më të rinj të trofeut Segrave i cili u dha për herë të parë në vitin 1930.

Ben Cussons: Çmimi i Henri Segrave shkon për aftësitë e jashtëzakonshme në ujë apo në ajër. Zara dhe Mack kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme në ajër. Kështu që ne jemi mjaft të lumtur që do t’u japim atyre këtë trofe.

Ky trofe është në nder të shoferit pionier të garave Henry Segrave, i cili është personi i parë që mban njëkohësisht rekordet botërore të shpejtësisë në tokë dhe në ujë.

Zara Rutherford, pilote: Marrja e trofeut Segrave është një nder i jashtëzakonshëm dhe unë dhe vëllai im jemi shumë mirënjohës. Dua të them, vetëm duke parë fituesit e kaluar, është mjaft mbresëlënëse. Dhe të jemi ne të radhës, thjesht nuk e imagjinoja. Jam vërtet pa fjalë.

Mack Rutherford, pilot: Është vërtetë e vështirë të shpreh me fjalë se çfarë ndjej. Është e pabesueshme që kemi në gjendje të marrim një çmim kaq prestigjioz sa ky.

Vetëm katër gra kanë fituar më parë trofeun Segrave që u jepet aventurierëve britanikë që tregojnë aftësi, guxim dhe iniciativë të jashtëzakonshme në udhëtimet në tokë, det ose ajër po asnjëra nuk ka qenë aq e re sa Zara.

Në vitin 2021 kur ishte vetëm 19-vjeçe ajo u nis për të përshkruar gjysmën e qiellit të botës.

Rruga e Rutherford ishte planifikuar të zgjaste rreth tre muaj, me ndalesa në 52 vende, përfshirë Greenland, Kinë dhe Nikaragua, por zgjati 5 muaj për shkak të motit të keq që shkaktoi vonesa në Rusi dhe Alaskë.

Gjatë udhëtimit prej 32,000 miljesh me një aeroplan Shark ajo ndaloi në disa vende të botës ku në disa raste qëndroi me familjet vendase dhe herë të tjera edhe në hotele.

Itinerari i saj u zgjodh për të përmbushur kërkesat e rekordeve të librit Guinness për të realizuar fluturimin në të gjithë botën. Ajo kujton disa nga sfidat e udhëtimit të saj nëpër botë.

Zara Rutherford: Momenti më emocionues për mua ishte kur isha në gjendje të fluturoja mbi një park në Nju Jork. Ajo ishte vërtet e lezetshme. Kam parë një vullkan aktiv në Islandë që ishte thjesht një përvojë e pabesueshme për të parë në fakt llavën që sapo shpërthente nga ky vullkan dhe fluturonte rreth tij. Dhe pastaj do të përmendja edhe disa element te tjerë të udhëtimit. Pata disa stuhi dhe në Singapor pikërisht aty ku ishte turbulenca aq sa mendova se do të hidhesha nga aeroplani. Dhe ftohtësia ekstreme në Siberi ku ishte deri në -35 gradë Celsius.

Në atë vit kur edhe morri rrugëtimin e rrezikshëm e reja shprehej për gazetarët e lajmeve Reuters se dëshironte të frymëzonte edhe shumë vajza të tjera.

Zara Rutherford: Është një ëndërr që e kam patur gjithë jetën time, të fluturoj me një aeroplan nëpër botë, ishte thjesht një ide e çmendur dhe gjithmonë mendoja se do të ishte e pamundur. Por pastaj vendosa se nëse nuk i tregoja askujt për këtë, atëherë nuk do të ndodhte kurrë. Kështu u thashë prindërve të mi dhe, ata thanë ‘po, le ta bëjmë këtë’. Me vëmendjen e mediave që kam marrë, shpresoj të inkurajoj vajzat dhe gratë të merren më shumë me aviacion, shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

E pyetur se çfarë rekordi tjetër ka në plan të thyejë Zara Rutherford përgjigjet kështu.

“Personalisht, nuk po planifikoj të thyej më rekord nëse nuk vjen një mundësi e mrekullueshme. Por unë dhe vëllai im jemi kaq mirënjohës dhe të lumtur që arritëm ta bëjmë këtë. Sinqerisht, mendoj se kemi thyer një nga rekordet më të mira. Kështu që unë nuk do të doja ta ndryshoja këtë”.

Ajo filloi të bënte fluturimet e para kur ishte vetëm në 14 vjeç dhe mori licencën e pilotes gjatë vitit 2020. Pasionin për udhëtimet me aeroplan Zara e ka marrë nga e gjithë familja e saj, anëtarët e së cilës janë të gjithë pilotë.

Jo shumë ndryshe nga motra e tij, Mack u bë në moshën 17-vjeçare personi më i ri që ka fluturuar rreth botës i vetëm me një aeroplan të vogël. Mack Rutherford fluturoi nëpër 52 vende mbi pesë kontinente, duke kaluar dy herë ekuatorin pasi u nis nga Bullgaria më 23 Mars të vitit 2022.

Atë vit ai mposhti rekordin e mbajtur më parë nga britaniku, Travis Ludlow, i cili e përfundoi me sukses këtë mision kur ishte 18 vjeç. I riu kujton disa nga sfidat që kaloi gjatë udhëtimit të tij nëpër botë, itinerari i të cilit duhej të ndryshonte për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Mack Rutherford: Një nga arritjet e mia më të mëdha ishte gjithashtu një nga pjesët më të vështira të rrugëtimit tim ishte kur kalova oqeanin Paqësor, më duhej të zbarkoja në një ishull të pabanuar dhe kjo ishte tepër stresuese dhe e vështirë. Pra kjo mendoj që ishte pjesa më e vështirë e rrugëtimit tim. Por në të njëjtën kohë ishte edhe mahnitshme sepse isha, në një zonë krejtësisht të tjetër dhe që nuk kisha qenë kurrë më parë. Dhe të jesh në gjendje të përjetosh diçka vërtet të re e bën atë një përvojat më të mira, por në të njëjtën kohë edhe një nga më të vështirat në jetën time.

Mack ka ëndërruar të bëhej pilot që në moshën tre vjeçare ndërsa në moshën 15-vjeçare ai u bë piloti më i ri i kualifikuar në botë në Shtator 2020.

Përvec Rutherford, fituesit e mëparshëm të trofeut Segrave janë shoferët e garave të Formula 1 Stirling Moss, Bruce McLaren, Jackie Stewart, Nigel Mansell dhe Damon Hill si dhe Lewis Hamilton.

Garat e Formula 1 janë kaq të vështiraë për shkak të kërkesave të larta fizike dhe mendore, si dhe për saktësinë absolute që kërkohet kur udhëton me shpejtësi maksimale.

Kthesat e garave në makinat F1 janë aq të vështira sa që lëvizja e makinës kërkon një nivel aftësie që pakkush mund t’i zotërojë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share