TENDERË, DONACIONE TË DYSHIMTA DHE KONFLIKTE INTERESI!
Pa u konsultuar me ekipin që paguhet për të përgatitur procedurën tenderike, drejtoresha e Inspektoratit sanitar dhe shëndetësor, ka sjellë një broshurë me aparate nga Biotek dhe ka kërkuar nga punëtorët që të zgjedhin cilat aparate duhet blerë, sipas saj me qëllim që të modernizohet puna e institucionit njofton KlanM.
Shuma që instituti duhej ta paguaj për tre aparate ishte 10 000 euro, e të punësuarit i kanë gjetur të njëjtit aparate për 800 euro. Këtë ia kanë thënë edhe drejtoreshës Irina Buhova, e ajo për një kohë ka hequr dorë nga blerja e aparateve, deri në momentin kur e ka gjetur metodën se si ti marrë.
Kompania ia ka “dhuruar” aparatet institucionit, e në ndërkohë është shpallur tender me specifika të sakta që mund ti përmbush vetëm kjo kompani, në vlerë prej 9113 eurove, pikërisht sa duhej të kushtonin aparatet. E për të gjitha këto indikacione drejtoresha, Buhova ka vetëm arsyetime.
– Dhe sa keni paguar për mostra më pas njëjtës kompani?
Shuma e njëjtë me të cilën duhej ti paguani aparatet apo?
Nuk e di shumën e aparateve.
02:48- Mostrat duhet të jenë adekuate për këtë aparat?
Jo, nuk duhet.
Prej kujt janë blerë mostrat?
Prej atij që ka fituar në tender. Procedurën tenderike nuk e udhëheq unë.
Kush ka fituar në atë tender?
Kolegu që merret me këtë çështje nuk është këtu.
E përveç kësaj, drejtoresha Buhova ordinancën e saj private e ka hapur tek objekti i cili është pronë e kompanisë Biotek dhe kjo nuk mendon se këtu ka hapësirë për konflikt interesi.
– Keni ordinancë private?
Po!
Ku e keni?
Në Aminta III, nr. 60, deklaroi Irina Buhova, Drejtoreshë e Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor.
Kush është pronar i objektit?
Pronar i objektit është Biotek.
Kompania e njëjtë prej të cilës nëpërmjet tenderit blini mostra apo?
Po, e njëjta kompani e cila ka dhuruar aparate medicinale. E cila ka dhuruar aparate për DISS-së.
– Kompania e njëjtë që i ka dhuruar aparatet ka fituar tenderin.
Mirë.
Kompania e njëjtë në kohën kur është shpallur tenderi, ua jep me qira disa hapësira juve. A nuk është kjo konflikt interesi?
Me marrëveshje për qira?
Po.
Nuk mendoni se ka konflikt të interesave?
Jo sepse për atë hapësirë unë paguaj qira.
Të punësuarit në këtë institucion për tv KlanM alarmojnë edhe për shumë parregullsi tjera. Specifikacionin e tenderit e kanë punuar person me shkollë të mesme e edhe pse institucioni nuk ka kushte për ti ruajtur këto materiale ato janë blerë, që në fund të dhurohen në institucione tjera.
Dilema edhe për atë se a janë dorëzuar materialet tek institucioni për shkak se në kohën kur është bërë pranimi, personi i ngarkuar për këtë çështje, ka qenë në izolim. E për disa materiale tjera si për shembull 80 mostrat endoskopike, nuk dihen se ku janë. Të punësuarit e Inspektoratit sanitar dhe shëndetësor thonë se nuk ekziston asnjë pjesë në rregulloren e punës së institucionit i cili parasheh blerjen e këtyre materialeve, por edhe përkundër vërejtjeve që iu janë dhënë drejtoreshës, ajo ka vazhduar punën e saj./KlanMacedonia/