Pasarela e pazakontë e Pierre Cardin/ Modelet sfilojnë në selinë e Partisë Komuniste

Rikthehet në Javën e Modës pas vitesh mungesë

Pas Nju Jorkut, Londrës dhe Milanos, ishte radha e Parisit për të nisur Javën e Modës. 107 shtëpi të modës prezantojnë veshjet e tyre për femra Pranverë-Verë 2024, gjatë 67 sfilatave, nga 25 Shtatori deri më 3 Tetor.

Mes disa koleksioneve që u prezantuan, dalloi edhe ajo e Shtëpisë së Modës, Pierre Cardin që solli një risi të re sa i përket ambienteve ku u zhvillua edhe sfilata. Shumë mund të mendojnë se është e pamundur të gjesh një lidhje mes politikës dhe modës, por shtëpia e famshme emodës Pierre Cardin e realizoi diçka të tillë në mënyrë gjeniale gjatë prezantimit të koleksionit të fundit.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Për të ngritur pasarelën drejtuesit e shtëpisë luksoze të modës, përdorën ambientet e selisë së Partisë Komuniste të Francës. Pasarela ishte ngritur pikërisht në sallën e madhe, ku të kuqtë e Francës zhvillojnë mbledhjet me delegatët nga i gjithë vendi. Koleksioni i ri i përket veshjeve luksoze, të shtrenjta të klasës së lartë, që shkon përkundër me “vijën e partisë” që mbron të varfrit dhe që në thelb të ekzistencës së saj ka luftën kundër shtresës së pasur.

Megjithatë, lidhja e vetme që kjo sfilatë krijoi mes shtëpisë luksoze Pierr Cardin dhe komunistëve ishte kauza për mbrojtjen e oqeaneve.

Rodrigo Basilicati Cardin, stërnipi i stilistit të ndjerë, zbuloi pak edhe për rolin që pati stilisti i ndjerë në krijimtarinë e tij.

“Para se të hyja në këtë pasarelë, kishte një video ku ishte me të, më pëlqen ta kujtoj kohën kur punoja me të sepse të katërt ne stilistët kemi patur fatin të punojmë me të. Prandaj ne ishim shumë të përfshirë në mënyrën se si ai mendonte dhe veçanërisht në fazën e fundit të jetës së tij, ai ishte gjatë gjithë kohës me ne, ai donte që fundjavat t’i kalonte nën shqoërinë time pasi ishte vetëm në atelie. Do të doja të më tregonte se çfarë të bëj dhe si të vazhdoj, kështu që ne duhet ta kemi këtë mision, të vazhdojmë në linjën e tij mendoj që ky është një mision i madh, por ne po përpiqemi.”

Misioni i Rodrigo Basilicati Cardin për të vazhduar trashëgiminë e xhaxhait të tij dhe fokusi i tij në mbrojtjen e mjedisit ishte i dukshëm në këtë koleksion.

Por ndryshe nga stilisti i ndjerë, i cili nuk ndjente nevojën për të prezantuar koleksionet e tij në Javën e Modës në Paris, për stilistin Rodrigo të qënit i pranishëm në Javën e Modës në Paris është jetike.

“Xhaxhai im, i cili tashmë kishte pasur sukses, mendonte se nuk kishte më nevojë të shfaqej në Javën e Modës në Paris, duke refuzuar të të prezantonte koleksionet e tij. Ai kënaqej duke krijuar duke shfaqur krijimet e tij herë pas here në Francë ose jashtë vendit.”

Kjo shtëpi e vjetër e modës tani përbëhet nga nipi i Pierre Cardin dhe tre bashkëpunëtorë të vjetër. Nipi i stilistit të ndjerë është kujdesur të ruajë tek koleksioni i ri idetë kryesore të markës, e cila ka qenë gjithmonë e fokusuar në hapësirë, por me një qasje shumë më të rafinuar dhe moderne, duke përdorur ngjyrat e ndezura dhe pëlhurat e ricikluara.

“Unë jam gjithmonë i frymëzuar nga diçka jashtë trupit,” tha stilisti i ndjerë për Neë York Times në 1985. Veshja, shprehej ai, kishte për qëllim “për t’i dhënë trupit formën e tij, ashtu si një gotë i jep formë ujit të derdhur në të”.

Cardin me konceptin e tij për modën, kishte hedhur themelet për një perandori globale nga fundi i viteve 1950. Në një kohë kur Franca ishte epiqendra e pakontestueshme e modës, ai po sillte modelet e tij në Moskë, Tokio dhe Pekin, duke tejkaluar çdo ditë e më shumë kufijtë ndërkombëtarë.

Në vitin 1957, ai u bë i pari stilist francez që krijoi lidhje biznesi me Japoninë dhe brenda dy viteve ai shiti veshjet e tij atje. Ai pa një treg të gjerë, të pashfrytëzuar edhe në Evropën Qendrore dhe Azi.

Në 1983, Cardin u bë i pari stilist francez që depërtoi në Bashkimin Sovjetik: Dizajnet e tij u prodhuan në fabrikat sovjetike dhe u shitën nën etiketën Cardin në shumë dyqane në Moskë.

Ndryshe nga shumë stilistë të cilët bashkëpunojnë me njerëz të tjerë, Cardin nuk kishte partnerë.

“Unë jam financuesi, bankieri dhe krijuesi. Gjithmonë kam bërë atë që kam dashur sepse nuk kam pasur kurrë një shef”, shprehej ai.

Stilisti ishte njeri i së tashmes dhe siç shprehej edhe vetë në intervistat për mediat e huaja, ai nuk kishte menduar kuurë për vdekjen dhe rrjedhimisht edhe për një testament.

Por pikërisht mungesa e një testament zyrtar ka nxitur një betejë të ashpër tek familjarët e tij. Që nga vdekja e stilistit në fund të vitit 2020, familja e tij është copëtuar për shkak të pasurisë. Mbesat e tij paraqitën një ankesë për shkelje të rëndë të besimit dhe mashtrim ndaj Rodrigo Basilicati-Cardin, trashëgimtarit të vetëm të krijuesit.

Por pavarësisht konflikteve familjare, prezanca e shtëpisë së modës në Javën e Modës në Paris konfirmon ende pushtetin e saj.

Në Javën e Modës në Paris do të shfaqet puna e më shumë se 100 stilistëve dhe shtëpive të famshsme të modës përfshirë Louis Vuitton, Chanel dhe Hermes, dhjetëra stilistë të rinj ndërkombëtarë, si dhe shtëpia franceze e modës Balmain.

Kjo e fundit do të prezantojë sërish koleksionin e saj, pavarësisht se dhjetra veshje u vodhën kur një kamion dërgesash u rrëmbye nga një grup njerëzish. Sipas drejtorit artistik të kompanisë, Olivier Rousteing incidenti ndodhi teksa rrobat po dërgoheshin nga aeroporti në selinë e kompanisë në qendër të Parisit. Një hetim është hapur, por nuk dihet asgjë për fatin e veshjeve të vjedhura.

Java e Modës në Paris Pranverë-Verë 2024 premton të jetë e pasur me kreativitet dhe emocione. Pavarësisht sfidave dhe polemikave, shtëpitë e modës pritet të prezantojnë koleksionet e tyre me pasion dhe shumë risi.

Sfilatat e markave Balmain dhe Alexander McQueen pritet të ngjallin veçanërisht kuriozitet, ndërsa hyrjet e reja sjellin një frymë të freskët në skenën e modës pariziane. Nuk ka dyshim që Java e Modës në Paris do të mbahet mend gjatë.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share