Pas kronikës së Klan M, Gashi kërkon të shkarkohen dy këshilltarët e punësuar te drejtori i Fondit Pensional

Pas kronikës së Klan Maqedoni se drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor, Dritan Bexheti kishte bërë punësime partiake, sot pas takimit me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi i ka kërkuar Bexhetit ti lirojë nga detyra dy këshilltarët e tij.

Ja postimi i plotë i kreut të Alternativës:

”Sot e kisha në zyrën time drejtorin e Fondit Pensional dhe Invalidor, mikun tim Dritan Bexheti. Përveç diskutimit rreth mbarëvajtjes së punëve në Fond, biseduam edhe për temën e këshilltarëve të tij, që së fundi është shndërruar në temë me të cilën është marrë edhe opinioni i gjerë. Ndonëse u pajtuam bashkërisht se bëhet fjalë për këshilltarë që kanë dhënë kontribut në suksesin e punës së tij, për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj opinionit, si dhe mundësisë së interpretimit të përzgjedhjes së tyre me nota nepotizmi, kërkova nga Drejtori që këshilltarët e apostrofuar t’i lirojë nga detyra. Drejtori Bexheti e pranoi me mirëkuptim këtë kërkesë dhe besoj se së shpejti do ta realizojë. Të faleminderit për mirëkuptimin Dritan! Kjo është Alternativa” – shkruan Afrim Gashi në facebook.

Kjo kërkesë e Gashit vjen pas një denoncimi në Klan M, se drejtori Bexheti kishte punësuar dy këshilltar në kabinetin e tij Gazmend Aliju që është i punësuar edhe si profesor i matematikës në një shkollë të mesme në Tetovë si dhe Jusuf Abduli i cili poashtu punonte si profesor i fizkulturës. Që të dy kishin marrë rrogë edhe nga Fondi Pensional si këshilltar të drejtorit Dritan Bexheti. /KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share