Ministri grek i Financave: Greqia nuk do të jetë me një përjashtim në Eurozonë
Pas 12 vitesh Greqia çlirohet nga monitorimi i BE pasi financat në vend janë stabilizuar.
Greqia pritet të largohet më 20 Gusht nga e ashtuquajtura kornizë “e mbikëqyrjes së shtuar” të Bashkimit Europian që do të thotë se gjatë gjithë kësaj kohe zhvillimet dhe politikat ekonomike të vendit janë monitoruar nga blloku, përmes kësaj kornize, që nga viti 2018, pasi Athina doli nga tri paketat ndërkombëtare të shpëtimit.
Këto ndihma ishin në vlerë prej mbi 260 miliardë Eurosh që Greqia mori nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në mes viteve 2010 dhe 2015.
“Pas 12 vjetësh… një kapitull i vështirë për shtetin tonë po mbyllet”, tha ministri grek i Financave, Christos Staikouras. “Greqia i rikthehet normalitetit europian dhe nuk do të jetë më një përjashtim në Eurozonë”, shtoi ai.
Staikouras tha se Athina ka përmbushur një sërë kriteresh dhe reformash dhe largimi nga korniza europiane është konfirmuar përmes një letre nga zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis dhe komisioneri për Ekonomi, Paolo Gentiloni.
Që nga dalja nga paketat e shpëtimit të vitit 2018, Greqia është mbështetur vetëm në tregje për nevojat e saj financiare.
Korniza mbikëqyrëse kishte për qëllim që Greqia të vazhdonte zbatimin e masave që do të parandalonin vështirësitë ekonomike, por edhe realizimin e reformave që kanë për synim rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Klan News