“Një marrëveshje e vështirë, por e nevojshme”
Pas bisedimeve maratonë 12 orëshe të zhvilluara dje në Ohër, mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borell dhe ndërmjetësin për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, palët arritën marrëveshje për zbatimin e marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. Bëhet fjalë për një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore.
Diskutimet u përqendruan në planin e zbatimit të propozimit europian për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel.
Pas përfundimit të bisedimeve, Borrel tha se, edhe pse kjo marrëveshje nuk u nënshkrua, palët u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Marrëveshja ishte e arritur në shkurt, por sot çështja ishte për të parë sesi do të implementohej. Ne kemi diskutuar për 12 orë rreth kësaj, dhe më në fund kemi një marrëveshje, një dakordësi dhe Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Palët kanë rënë dakord për të respektuar këtë marrëveshje, të gjitha obligimet kanë nga ajo”, deklaroi Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i BE-së.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”. Sipas tij, arritja e pajtimit për zbatimin e propozimit evropian mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike.
“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha Gabriel Escobar, i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e quajti këtë marrëveshje njohje e ndërsjellë de facto
“Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër njësoj si në takimin e fundit po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks. I takon BE që ta gjejë mekanizmat që ta bëjnë këtë ligjërisht, ndërkombëtarisht të aplikueshme. Sa për aneksin e zbatimit ai do të publikohet në faqen e BE dhe aty dot a lexoni e kuptoni edhe çka ka edhe çfarë s’ka”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u shpreh se, ka njëlloj marrëveshje mes palëve, por duhen biseduar edhe më tej disa pika.
“Ka disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë
Në aneskin e marrëveshjes thuhet se palët kanë rënë dakord të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, po ashtu Kosova do të fillojë menjëherë negociatat brenda dialogut për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese./KlanMacedonia