Partia konservatore zvicerane kërkon referendum kundër Eurovizionit! E quan ngjarje “propagandistike”

Unioni Federal Demokratik Zviceran (EDU) po fillon një referendum për të parandaluar zhvillimin e Eurovision Song Contest në Bazel nga 13 deri më 17 maj 2025. Partia po mbledh nënshkrime për të kundërshtuar një kredi të dhënë nga Parlamenti kantonal i Bazelit.

Daniel Frischknecht, president i EDU-së së vogël, ultra-konservatore të Zvicrës, njoftoi të hënën se periudha e grumbullimit kishte filluar me botimin në gazetën kantonale Basel-City të shtunën, transmeton albinfo.

EDU ka besim se “me ndihmën e shumë banorëve të Bazelit”, do të jetë në gjendje të sjellë një referendum kundër kredisë prej 34.9 milionë CHF. Kjo do t’i mundësonte elektoratit të kantonit Basel-City të vendosë për kredinë në kutinë e votimit.

Huaja u miratua nga Parlamenti kantonal i Bazelit të mërkurën e kaluar teksa shumica e të gjitha grupeve parlamentare ishin pro. Qeveria kishte kërkuar shpenzimet për fusha të ndryshme, si infrastruktura, siguria, shpëtimi, transporti, akomodimi, aktivitetet e mirëseardhjes dhe eventet mbështetëse. Vendi kryesor do të jetë St. Jakobshalle, shkruan swissinfo.

Që të zhvillohet referendumi, duhet të mblidhen dhe të dorëzohen të paktën 2000 nënshkrime të vërtetuara deri më 26 tetor. Partia e vogël e krishterë kishte njoftuar më herët se do të nisë një referendum kundër shpenzimeve publike për “ngjarjen propagandistike”. Sipas Këshillit qeveritar, votimi do të bëhet më 24 nëntor.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share