Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbajë protestë para kryeministrisë në Tiranë

Ditën e sotme, Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbajë protestën e thirrur para kryeministrisë në Tiranë, në orën 20:00. Protesta u njoftua para disa javësh, pasi Gjykata e Apelit i dha vulën e PD ish-kryeministrit Sali Berisha.

Motoja e protestës është “të bashkuar në betejë” kundër varfërisë dhe skandaleve, ku janë të përfshirë disa zyrtarë pranë qeverisë. Anëtarët e PD kanë dalë në terren për të shpërndarë fletëpalosje dhe për të ftuar qytetarët në tubimin e thirrur prej tyre.

Belind Këlliçi, një prej organizatorëve të protestës, shkroi në rrjetin social Facebook: “Tirana po zien kudo! Padurimi i qytetarëve për protestën e nesërme është në limite! Jam i bindur se 11 korriku do të shënojë protestën më të madhe të organizuar ndonjëherë në vend! Mos mungo, eja dhe ti. Rinia, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë do derdhen në bulevard, më shumë se kurrë e më të vendosur se kurrë.”

Prijësi i tubimit do të jetë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili, edhe pse në arrest shtëpie, pritet të jetë i pranishëm virtualisht, ashtu siç ka ndodhur edhe në protestë të më parshme.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në institucionin që drejton, pasi ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në samitin e 75-vjetorit të NATO-s. Qëllimi i opozitës për këtë protestë është krijimi i qeverisë teknike.

“Armiku ynë i përbashkët është Edi Rama. PD ka nevojë të bashkohet me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë, me të gjithë spektrin opozitar. Detyra jonë është një dhe vetëm një, krijimi i Qeverisë teknike dhe shpëtimi i vendit nga ky regjim”, tha Berisha.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share