Parlamenti iranian shpalos ligjin e rreptë të hixhabit, pavarësisht kritikave

Parlamenti i Iranit e ka shpalosur përmbajtjen e një projektligji të hixhabit, përmes të cilit synon ballafaqimin, arrestimin dhe ndëshkimin e grave të cilat nuk e përfillin kodin e detyrueshëm të veshjes.

Rregullat e reja janë kritikuar ashpër brenda dhe jashtë vendit dhe kanë shkaktuar debat të nxehtë.

Projektligji, i cili e ka marrë dritën jeshile nga Komiteti Ligjor dhe Gjyqësor i Parlamentit të Iranit, i fuqizon tri agjenci të inteligjencës – Ministrinë e Inteligjencës, Organizatën e Inteligjencës së Gardës Revolucionare, dhe Organizatën e Inteligjencës së Gjyqësorit – bashkë me policinë, forcat paramilitare Basij, për të ndërmarrë veprime kundër grave që i shkelin rregullat.

Ai prek edhe një ndarje më të gjerë gjinore në universitete, qendra administrative, institucione edukative, parqe, lokacione turistike dhe madje edhe në reparte spitalore.

Projektligji propozon ndëshkime të rënda, përfshirë me burgim dhe gjobë deri në 720 dollarë, për gratë që e shpërfillin ligjin e detyrues të hixhabit.

Sipas nenit 50 të projektligjit, kushdo që në vende publike apo në rrugë shfaqet zhveshur apo gjsmëzhveshur, apo në ndonjë veshje që tradicionalisht cilësohet që nxjerr në pah shumë, do të arrestohet menjëherë nga oficerët dhe do të dorëzohet te organet e drejtësisë.

Të arrestuarat do të përballen me dënim me burg apo gjobë, dhe nëse shkelja përsëritet, dënimi me burg apo gjobë do të rritet.

Projektligji, po ashtu, nënvizon se kushdo që gjykohet ta ketë fyer hixhabin, promovuar lakuriqësinë, pa papërulësinë, do të dënohet me gjobë, do ta ketë të ndaluar largimin nga vendi dhe aktivitetin publik në internet për gjashtë muaj deri në dy vjet.

Hixhabi u bë detyrim për gratë dhe vajzat nga nga mosha 9-vjeçare në vitin 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik në Iran. Kjo lëvije shkaktoi protestat të cilat u shuan shpejt nga autoritetet e reja.

Shumë gra i kanë shkelur rregullat ndër vite dhe e kanë kundërshtuar atë që zyrtarët e quajnë veshje të pranueshme.

Në javët e fundit, autoritetet kanë mbyllur biznese, restorante, kafene, dhe në raste edhe barnatore për shkak të dështimit të pronarëve apo menaxherëve për t’i përmbushur rregullat e hixhabit dhe ligjeve islamike./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share