Gjatë vizitës në Portugali ai kritikoi anëtarët e kishës se kanë injoruar prej kohësh skandalin
Teksa ndodhet në Portugali, Papa Françesku e ka mbajtur një takim privat me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët fetarë.
Ai kritikoi anëtarët e hierarkisë katolike të vendit për përgjigjen e tyre ndaj skandalit të injoruar prej kohësh, për të cilin ai tha se kishte dëmtuar Kishën Katolike. Një raport i vitit të kaluar ka treguar se të paktën 4.815 fëmijë janë abuzuar në Portugali dhe se Kisha ka tentuar sistematikisht që ta fshehë rastin.
Vatikani tha se Papa Françesku u takua me 13 viktima të abuzimit për më shumë se një orë në Ambasadën e Vatikanit. Viktimat shoqëroheshin nga personeli i kishës përgjegjës për programet e mbrojtjes së fëmijëve.
Në muajin shkurt, një komision i pavarur, i krijuar nga Kisha Katolike në Portugali, e ka publikuar raportin që tregon për përvojat e 564 personave, që kanë thënë se janë abuzuar nga priftërinjtë apo zyrtarë tjerë të Kishës. Ky komision i ngjashëm me komisionet e auditimit që ekzistojnë në Evropë dhe Amerikë i ka analizuar rastet që datojnë prej vitit 1950.
Reagimet ndaj komenteve të Françeskut mbi abuzimin ishin të përziera. Disa pelegrinë jashtë Manastirit Jeronimos thanë se mbledhja e Ditës Botërore të Rinisë nuk ishte koha apo vendi për të ngritur këtë çështje.
Vizita e Atit të Shenjtë vjen në kuadër të Ditës Botërore të Rinisë, që mbahet çdo dy vjet. Kjo është ngjarja e katërt e tillë që Papa Françesku do të kryesojë që kur u bë Papë në vitin 2013.
Në Lisbonë, besimtarët kërcyen dhe kënduan ndërsa valëvitnin me krenari flamurin e vendit të tyre jashtë ambasadës së Vatikanit. Të rinj katolikë nga pothuajse çdo vend i botës pritet ti bashkoshen kësaj feste që zgjat deri në 6 Gusht.
Klan News