Papa Françesku kritikon nacionalizmin në Hungari dhe bën thirrje për rikthim në “shpirtin evropian” dhe mbrojtjen e refugjatëve.
Gjatë vizitës së tij në Hungari, Papa Françesku kritikoi rritjen e nacionalizmit dhe bëri thirrje për rikthim në “shpirtin evropian”. “Është jetike që të gjetjmë përsëri frymën evropiane,” tha ai në një fjalim në prani të kryeministrit populist të djathtë Viktor Orban në Budapest. Duhet të gjejmë “forma diplomacie” “qëllimi i të cilave është uniteti, jo thellimi i dallimeve”.
Papa paralajmëron kundër “luftënxitësve pubertarë”
Duke ju referuar luftës në Ukrainë, Papa paralajmëroi kundër “luftënxitësve pubertarë”. “Gjithnjë e më shumë, entuziazmi për ndërtimin e një komuniteti paqësor dhe të qëndrueshëm të kombeve duket se po ftohet”, tha 86-vjeçari. “Në vend të kësaj janë shënuar sferat e ndikimit, po theksohen dallimet, nacionalizmi është në rritje dhe gjykimet dhe gjuha gjithnjë e më të ashpra përdoren në konfrontimin e ndërsjellë.”
Kreu i Kishës Katolike bëri thirrje për “hapje ndaj të tjerëve” në politikën e refugjatëve. Në prani të Orbanit, i cili ndjek një kurs të rreptë kundër emigracionit, ai paralajmëroi tendencat në rritje për t’u “tërhequr në vetvete”. Evropa duhet të gjejë mënyra “të sigurta dhe ligjore” për të pranuar refugjatët.
Orbani e konsideron veten si rojtari i një “Evrope të krishterë”
Këto fjalë padyshim i drejtoheshin kryesisht Orbanit, me të cilin Françesku ishte takuar më parë për një bisedë. Kreut të qeverisë nacionaliste të krahut të djathtë i pëlqen ta quajë veten si rojtari i një “Evrope të krishterë” kundër ndikimeve nga bota arabe. Nga ana tjetër Papa bën thirrje rregullisht për ndihmë për njerëzit e të gjitha besimeve që po ikin nga lufta dhe varfëria.
Kjo është vizita e dytë e Papës në Hungari. Gjatë vizitës së tij triditore do të jetë një nga temat dominuese, lufta e agresionit rus në Ukrainë. Sipas OKB-së më shumë se një milion ukrainas kanë kaluar kufirin për në Hungari që nga fillimi i pushtimit rus.
Gjatë vizitës së Papës në Hungari është planifikuar edhe një meshë e madhe në qiell të hapur, e cila do të mbahet të dielën Papa Françesku do të takohet edhe me refugjatë ukrainas dhe do të bisedojë me të rinj dhe përfaqësues nga fusha akademike dhe kulturore./DW