Në një intervistë Ati i Shenjtë hodhi poshtë pretendimet për dorëheqjen e tij dhe dënoi ashpër abortin
Papa Françesku në një intervistë të fundit ka deklaruar se ai është në rrugën e duhur për të vizituar Kanadanë këtë muaj dhe shpreson të jetë në gjendje të shkojë në Moskë dhe Kiev sa më shpejt të jetë e mundur pas kësaj.
“Do të doja të shkoja në Ukrainë, por në fillim do të doja dhe të shkoja fillimisht në Moskë. Kemi shkëmbyer mesazhe për këtë, sepse mendova se të shkoja atje për t’i shërbyer kauzës së paqes. Dhe tani është e mundur, pasi të kthehem nga Kanadaja, mund të arrij të shkoj në Ukrainë. Me Rusinë ekziston ende ai dialog shumë i hapur, shumë i përzemërt, shumë diplomatik në kuptimin pozitiv të fjalës, dera është e hapur”.
Asnjë papë nuk e ka vizituar kurrë Moskën dhe Françesku e ka dënuar vazhdimisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ati i Shenjtë shpeshherë e ka akuzuar në mënyrë implicite Putin për një luftë mizore dhe të pakuptimtë.
Në një intervistë ekskluzive të shtunën në rezidencën e tij në Vatikan, Françesku përdori një bastun teksa hyri në një dhomë pritjeje në katin përdhes të shtëpisë së miqve Santa Marta, ku ai ka jetuar që nga zgjedhja e tij në 2013, duke iu shmangur apartamentit papal në Pallatin Apostolik të përdorur nga paraardhësit e tij.
I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së që përmbysi vendimin historik Roe kundër Wade që vendos të drejtën e një gruaje për të kryer një abort, Françesku tha se ai e respektoi vendimin, por nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të folur rreth tij nga pikëpamja juridike. Ai e dënoi ashpër abortin, duke e krahasuar atë me “punësimin e një vrasësi që vret një qenie njerëzore“.
“Të them të vërtetën, nuk e kuptoj nga pikëpamja teknike, duhet ta studioj sepse nuk e kuptoj realisht se si ishte vendimi 50 vjet më parë. Unë i respektoj vendimet. Në këtë gjë duhet të jemi shkencorë, të shohim se çfarë na thotë shkenca sot. Unë pyes: “A është e ligjshme, a është e drejtë të eliminosh një jetë njerëzore?” Është një jetë njerëzore, kjo është shkenca. Pyetja morale është nëse është e drejtë të marrësh një jetë njerëzore për të zgjidhur një problem, në të vërtetë, a është e drejtë të punësosh një vrasës me pagesë për të zgjidhur një problem?” Kjo po shkakton një problem politik. Kjo është gjithçka që mund të them”.
Papa Françesku hodhi poshtë gjithashtu thashethemet se ka kancer kur iu nënshtrua një operacioni gjashtë-orësh një vit më parë për të hequr një pjesë të zorrës së trashë. Në media kanë qarkulluar thashethemet se një sërë ngjarjesh në fund të Gushtit të kaluar, duke përfshirë takimet me kardinalët e botës ku u diskutua një kushtetutë të re të Vatikanit, një ceremoni për të futur kardinalët e rinj dhe një vizitë në qytetin italian të L’Aquila, parashikonin njoftimin e dorëheqjes.
Klan News