Palestinezët në Gaza në pritje të ndihmave

Biden, miliarda Dollarë ndihma ushtarake Izraelit

Kamionët me ndihma humanitare që presin prej ditësh në anën egjiptiane të pikës kufitare të Rafahut, duhej të kishin hyrë këtë të premte në Rripin e Gazës, sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar të mërkurën nga presidenti Joe Biden gjatë vizitës në Izrael.

Por asnjëri prej nuk i ka ndezur deri më tani motorët. Koordinatorët egjiptianë të ndihmave për Rripin e Gazës thonë se nuk kanë marrë asnjë garanci nga Izraeli se autokolonat e tyre nuk do të sulmohen pasi të kalojnë kufirin. Pika kufitare është po ashtu e dëmtuar nga sulmet e ditëve të fundit dhe punonjës egjiptianë po përpiqen ta riparojnë.

Kombet e Bashkuara thonë se ndihmat janë jetike, pasi thonë se situata në territorin jugperëndimor palestinez të kontrolluar nga Hamasi, po shndërrohet në një ferr ku nuk mund të jetojnë më njerëz.

Bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës vazhduan pa ndërprerje ashtu si këto 13 ditë, pas sulmit të befasishëm të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit.

Bomba ranë gjatë natës edhe në një kishë ortodokse greke, të ndodhur pranë spitalit që u godit më herët gjatë kësaj jave e ku humbën jetën 500 persona.

Nuk dihet ende nëse ka viktima nga sulmi në kishën e Shën Profirit, por Hamasi akuzoi Izraelin për sulmin.

Ndërsa ushtria izraelite tha se kishte goditur në këtë zonë disa pozicione të militantëve ekstremistë dhe shpërthimet dëmtuan vetëm murin e kishës, ku strehoheshin besimtarë të krishterë.

Presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim në televizon, i bëri thirrje Kongresit të pranojë planin prej miliarda dollarësh për ndihma ushtarake ndaj Izraelit dhe Ukrainës.

Megjithatë, shefi i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje izraelitëve të mos verbohen nga hakmarrja, teksa përgatiten për sulmin e madh tokësor në Gaza.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share