Rrjeti kombëtar ESO në Britani në fillim të këtij muaji paralajmëroi britanikët se mund të përballen me ndërprerje 3-orëshe të energjisë elektrike këtë dimër pasi rezervat e energjisë po pakësohet për shkak të mungesës së gazit.
Britanikët janë paralajmëruar për pajisjet që duhet të heqin nga priza në rast të aplikimit të kësaj ndërpreje energjie me qëllim kursimin e saj. Rrjeti Kombëtar ESO në Britani (operatori i sistemit të energjisë elektrike) paralajmëroi se njerëzit mund të përballen me orë të tëra pa energji elektrike nëse do të ketë mungesë gazi këtë dimër.
Megjithatë me ndërprerjen e energjisë elektrike, ekziston mundësia që rikthimi i energjisë elektrike pas 3 orësh ndërprerje mund të shkaktojë dëmtimin e disa pajisjeve të cilat kanë qenë në prizë.
Ndër pajisjet kryesore që duhet të hiqen nga priza në rast ndërprerjeje të energjisë elektrike janë televizorët, hekurat dhe kompjuterat. “The Sun” raporton se pas rikthimit të energjisë, këshillohet që të pritet disa minuta para se t’i vihen sërish në prizë dhe në punë këto pajisje elektroshtëpiake.
Ndërprerjet e energjisë në Britani janë paralajmëruar që mund të ndodhin në mbrëmjet e ditëve të javës në Janar dhe në Shkurt, kur është më shumë ftohtë.
Britanikët duhet të jenë gati në rast se energjia elektrike ndërpritet me qiri apo me bateri të ngarkuara për të kaluar orët e errëta.
Megjithatë, ndërprerjet e mundshme varen nga një sërë faktorësh, duke përfshirë nëse Britania e Madhe nuk arrin të sigurojë mjaftueshëm gaz nga vendet e tjera në kohë për Vitin e Ri, sidomos nëse vendi përjeton një dimër më të ftohtë se sa pritej./tvklan.al