Paga faraonike në MLS

Insigne më i paguari në Amerikë, Shaqiri i dyti me 8.1 milionë Dollarë në sezon

MLS është shndërruar në një nga kampionatet më të pasura në botë. Financat janë problemi më i vogël në elitën e futbollit amerikan, që vitet e fundit është bërë toka e premtuar për shumë lojtarë kualitativ e tepër të famshëm. Kjo pasi skuadrat e MLS nuk kursehen aspak kur bëhet fjalë për pagat që i ofron yjeve që kryesisht aktivizohen në kampionatet elitare të Europës dhe që disa prej tyre po përgatiten për të varur këpucët në gozhdë. Pagat e majme kanë joshur shumë lojtarë, e të fundit që nisën emigrimin ishin italianët, Kelini, Bernardeski e Insinje. Tre futbollistë që kanë lënë gjurmë në Seria A italiane, gjithsesi kur bëhet fjalë për pagat ish-ylli i Napolit është ai që përfiton më shumë.

Nga kontrata me Toronton, Insinje depoziton 14 milionë dollarë, shifër në të cilën nuk përfshihen bonuset për golat dhe paraqitjet e tij në fushë. Vendi i dytë mund të konsiderohet surprizë, por mbahet nga lojtari me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri. Ish-lojtari i Bazelit, Interit dhe Liverpool luan te Çikago dhe për një sezon fiton pak më shumë se 7.3 milionë dollarë. Por së bashku me bonuset, shifrat sezonale të Shaqirit shkojnë deri në 8.1 milionë dollarë, duke e bërë 31-vjeçarin lojtarin e dytë më të paguar në MLS.

Pas tij gjendet ish-sulmuesi i Mançester Junajtid, Çikarito Hernandez, i cili nga kontrata me Galaxy fiton pak më shumë se 7.4 milionë dollarë së bashku me bonuset. 34-vjeçari gjendet prej dy vitesh në Los Anxhelos, ku deri më tani ka shënuar 37 gola në 65 ndeshje. Vetëm vendi i katërt për Gonzalo Higuain, i cili përballë Nju Jork Siti luajti ndeshjen e fundit në karrierë. Argjentinasi përfitonte 5.7 milionë dollarë nga kontrata me Inter Miami. Garet Bejl gjendet i 44-ti, me një pagë dukshëm modeste nga kolegët e tij. Uellsiani përfiton pak më shumë se 2 milionë dollarë nga marrëveshja me Los Anxhelos./KlanNews

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share