Osmani: Zgjerimi i BE-së ka pasur gjithmonë aspekt meritokratik dhe gjeopolitik

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, mbajti fjalim në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, organizuar nga think-tenku i Brukselit “Friends of Europe”, transmeton Anadolu.

Në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut lidhur me vizitën e ministrit Osmani në Bruksel, theksohet se ai mbajti fjalim në seancën me titull “Zgjerimi i BE-së: domosdoshmëria e re gjeopolitike”.

Osmani tha se koncepti “Gjithçka ose asgjë” nuk ofron përfitime për qytetarët para anëtarësimit të plotë formal. Prandaj, sipas tij, koncepti “Më shumë integrim, para anëtarësimit të plotë” paraqet zgjidhjen më të mirë të mundshme.

“Zgjerimi i BE-së ka pasur gjithmonë aspekt meritokratik dhe gjeopolitik”, tha Osmani, duke theksuar se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së ka qenë e mbushur me sfida jashtëzakonisht të vështira, por asnjëherë nuk ka munguar qartësia strategjike rreth prioritetit e parë të vendit lidhur me politikën e jashtme për anëtarësim në BE.

“Besoj se koncepti i integrimit të përshpejtuar dhe gradual, të cilin e quajtëm ‘Më shumë integrim përpara anëtarësimit’ do të japë përfitime të prekshme edhe në këtë fazë të procesit të anëtarësimit. Pres të ftohen partnerët nga Ballkani Perëndimor, të cilët janë 100 për qind në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, për të marrë pjesë në takimet e Këshillit të Punëve të Jashtme, për të fituar qasje në Tregun e Vetëm të BE-së dhe në fondet strukturore dhe kohezive”, theksoi Osmani.

Në seancën kushtuar zgjerimit të BE-së, krahas ministrit Osmani, me fjalimet e tyre morën pjesë edhe zv/kryeministrja për Integrime Europiane dhe Euroatlantike të Ukrainës, Olha Stefanishyna; ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani si dhe ministra të vendeve tjera, përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe diplomatë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share