Osmani, Von der Leyenit: Jemi të parët në Evropë dhe të dytët në botë për reforma në sundim të ligjit, prapë jemi të izoluar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se për çfarë kanë diskutuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën zhvilloi një takim përreth një orë.

Përmes një konference të përbashkët për media, Osmani e falënderoi Von der Leyen, për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, dhe për rikonfirmimin e komisionit se Kosova i plotësuar të gjitha kriterët e vizave.

“I uroj mirëseardhje presidentes së Komisionit Evropian në shtetin më të njohur ndërkombëtarisht, me përmirësimin më të lartë në Evropë sa i përket sundimit të ligjit. Është vendimtare që BE të na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë në përballje me krizat me të cilat të gjithë po ballafaqohemi, në radhë të parë me krizën energjetike e cila ka kapluar prej kohës edhe rajonin tonë. E mirëpresim faktin që mbështetja e rajonit në këtë drejtim është në qendër të vizitës suaj dhe shpresojmë që nëpërmjet një bashkëpunimi të afërt do t’i identifikojmë mekanizmat e duhur për lehtësimin e përballjes të rritjes së energjisë, për investime në projekte të vogla dhe të mëdha në burime të ripërtëritshme të energjisë, në investime në përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe kapacitetit të rrjetit si dhe në investime në masa të efiçiencës së energjisë”, ka thënë Osmani, njofton KlanKosova.tv.

“Besoj që ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane që është parakusht për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë. Kjo është natyrisht për vendet që duan të bëjnë hapa serioz drejt integrimit në BE”.

Osmani ripërsëriti se ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriterët për liberalizimin e vizave, qytetarët ende janë të izoluar.

“Për fat të keq sa i përket liberalizimit të vizave, Kosova vazhdohet të trajtohet me standard tjetër, edhe pse radhitemi të parët në Evropë dhe të dytët në botë sa i përket reformave të sundimit të ligjit për ta forcuar demokracinë, qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës, kontinentit të cilit i përkasim. Për qytetarët e Kosovës ka kaluar një kohë e gjatë që përkundër plotësimit të të gjitha kritereve liberalizimi i vizave s’ka ndodhur ende. Ju falënderoj juve dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme por edhe për rikonfirmimin e komisionit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e vizave”.

“Kosova është jashtëzakonisht serioze në aspiratat e saj euroatlantike. Edhe Raporti i Progresit që është më i miri për Kosovën deri më tani, është dëshmi e faktit që ky vend dhe qytetarët e saj janë vërtetë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane të demokracisë. Ne e dimë që ju kemi një aleatë të fuqishme, një përkrahje të fuqishme dhe në emër të të gjithë popullit të Kosovës, ju falënderoj që asnjëherë nuk na latë vetëm dhe për të gjitha vendimet që i keni planifikuar për qytetarët e rajonit tonë”, tha më tej Osmani./KlanKosova.tv/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share