Kryesuesi i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot dhe nesër do të vizitojë Misionin e OSBE-së në Republikën e Moldavisë, me çka praktikisht zgjatet realizimi i obligimeve prioritare nga Programi për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE në vitin 2023.
Gjatë vizitës, siç njoftojnë nga MPJ, kryesuesi Osmani do të pritet nga presidentja e Republikës së Moldavisë, Maja Sandu, si dhe do të ketë takim edhe me nikoqirin e tij, zëvendëskryeministrin dhe ministrër të Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të këtij vendi, Niku Popesku, si dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministër për Riintegrim Oleg Serebrian.
Osmani, është bërë e ditur, do të ketë takime edhe me autoritetet e Transnistrisë – Vladimir Krasnoselski dhe kryenegociatorin e tyre Vitalij Ignatiev.
“Vizita do të zhvillohet në një kohë të situatave komplekse të brendshme politike në vend dhe pas dorëheqjes së papritur të kryeministres së Moldavisë Natalia Gavrilita, por edhe për shkak të ndikimit të jashtëm të shkaktuar nga pasojat e agresionit ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainë. Qëllimi kryesor është inkurajimi i procesit të negociatave më thelbësore ndërmjet Qeverisë së Moldavisë dhe autoriteteve të Transnistrisë për realizimin e kornizës së dakorduar të 8 fushave, por edhe për t’i dhënë mbështetje të plotë punës së Misionit të OSBE-së në Moldavi, e cila ka një rol kyç në ruajtjen e dialogut politik të udhëhequr nga OSBE-ja në formatin 5+2, si dhe për projektet që janë domeni i integrimit të shtetit dhe rimëkëmbjes socio-ekonomike të Moldavisë”, citohet në kumtesën e MPJ-së.
Gjatë vizitës dyditore, kryetari i OSBE-së do të zhvillojë edhe takime në terren, gjatë të cilave do të takohet edhe me aktivistë të rinj në Moldavi, të cilët po ndihmojnë në pranimin e refugjatëve nga Ukraina.