Osmani për afatin e dokumenteve/ Qytetarët që janë jashtë vendit do mund të kthehen edhe pas 12 Shkurtit

Për tre ditë hynë në fuqi afatet tranzitore të Marrëveshjes së Prespës. Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani në brifing me gazetarët deklaroi se dokumentet për udhëtim do të jenë valide deri më 12 shkurt, por vetëm rreth 1.2 milion qytetarë i kanë ndryshuar dokumentet me emrin e ri të shtetit.

“Për shkak se kemi shumë qytetarë të cilët ende nuk kanë arritur të marrin dokumente me emrin e ri kushtetues, informacionet e mija nga Ministria e Brendshme janë se janë diku 1,200.000 të cilët vetëm se kanë marrë. Por kjo do të thotë se ka një numër të madh të qytetarëve të cilët ende nuk i kanë ndryshuar dokumentet e udhëtimit. Prej tyre një numër i konsiderueshëm janë edhe pjesë e diasporës tonë, janë jashtë. Në një mënyrë atyre u pamundësohet udhëtimi ose kthimi në vend, me pasaporta ose dokumente të tjera të cilat nuk e kanë emrin e ri kushtetues” – tha Bujar Osmani.

Osmani shtoi se qytetarët të cilët kanë pasaporta me emrin e vjetër të shtetit do mund të kthehen në vend me një kërkesë të thjeshtë deri te përfaqësitë diplomatike dhe konsulore për dokumente të përkohëshme të udhëtimit. Megjithatë, numri i këtyre përfaqësive është i kufizuar. Sipas Osmanit, Ministria e Punëve të Jashtme është duke kërkuar mënyra për lehtësim për  përshpejtimin dhe shkurtimin e afatit për dhënien e pasaportave me emrin e ri kushtetues.

“Njerëzit janë të frikësuar se ndoshta pas 12 shkurtit do humbin vendet e punës ose do u ndërpriten lejet e përkohshme të qëndrimit. Unë dua tu them se nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Për shkak se përfaqësitë tona janë atje ku jetojnë dhe do tu dalim në ndihmë për çfarë do vështirësie që kanë. Do u mundësojmë dokumente të përkohëshme, do u mundësojmë që ata të arrijnë lehtë tek to. Por natyrisht edhe lehtësime të tjera të cilat do të jenë të nevojshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht a janë ne Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Australi apo në Afrikë” – tha Bujar Osmani.

Ministri Osmani tha se do punojnë në dy ndërrime dhe gjithashtu edhe në fundjavë. Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë në kontakt dhe në komunikim me përfaqësitë diplomatike. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share