Osmani nga nesër për vizitë pune në Londër

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të Sekretarit të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Xhejms Klleverlli, nga nesër do të jetë për vizitë pune disa ditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Në pjesën e parë të qëndrimit në Londër, Osmani do të ketë një takim me nikoqirin e tij Klleverlli dhe Ministrin për Evropën, Leo Doerti, si dhe takime të veçanta me të dërguarin Special të Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Piç, me të dërguarin për Tregti me Ballkanin Perëndimor dhe kryetarin e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim, Martin Vikers, deputetë të Grupit, përfshirë edhe ish ministren për Evropë, Vendi Morton. Ndërsa, në Shërbimin qeveritar për Siguri Nacionale do të takohet me Drejtorin e Përgjithshëm dhe Zëvendës Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Nik Kacaras.

Përveç zhvillimit të bashkëpunimit bilateral dhe thellimit të marrëdhënieve tradicionale të partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, që këtë vit shënojnë jubile – tri dekada nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike,  vend qendror në bisedimet pritet të kenë edhe temat rreth arkitekturës së rrënuar të sigurisë në Evropë dhe pasojat nga lufta në Ukrainë, bashkëpunimi si aleat në NATO, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe mbështetja britanike, si dhe situatat aktuale dhe sfidat rreth kryesimit me OSBE-në.

Në pjesën e dytë të qëndrimit në Londër, Ministri Osmani do të marrë pjesë në Konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës me ftesë të Sekretarit të Shtetit britanik Xhejms Klleverlli dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba, të cilët janë bashkëorganizatorë. Në prag të Konferencës, Ministri Osmani do të marrë pjesë edhe në pritjen e shefave të delegacioneve në Pallatin Sent Xhejms, ku do të jetë i pranishëm edhe Madhëria e Tij Mbreti Çarlsi i III-të.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share