Osmani: Mickoski mund ta ftojë VLEN-in në kafe, por jo në Qeveri!

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

Fronti Evropian e ka bërë të qartë edhe njëherë se për ta, është e papranueshme Qeveria e cila nuk do të përfshijë partinë fituese te komuniteti shqiptar.

Në një deklaratë të dhënë për media pas një debati të organizuar për temën e nacionalizmin në shtetet multietnike, Osmani tha se, VMRO mund ta ftojë VLEN-in të jetë pjesë e koalicionit të kësaj partie, por jo të qeverisë.

“Zotëri Mickoski VLEN-in mund ta ftojë në kafe, në qytet, në shpi, ose në koalicionin Maqedonia përsëri e jotja dhe nëse VLEN-i thotë do të jemi në qeverisje si pjesë e koalicionit të VMRO – DPMNE-së me partnerët e tyre se ato kanë 20 parti, nëse e kanë edhe VLEN-in, jemi në rregull ne nuk kemi asgjë, por përfaqësuesit të popullit shqiptar do të jenë ata që do t’i zgjedhë populli” – tha Bujar Osmani.

E nga ana tjetër, VLEN është e bindur se do të jetë pjesëmarrëse në Qeverinë e ardhshme. I pyetur nëse në Qeverinë e ardhshme, përpos VMRO-s dhe VLEN-it, do të jetë edhe ndonjë parti tjetër, Izet Mexhiti nga blloku opozitar shqiptar tha se po shqyrtohen më shumë kombinime.

“Ka më shumë kombinime, por të gjitha kombinimet janë në favor të VLEN-it dhe asnjë kombinim nuk shkon në favor të BDI-së. Sepse, asnjë subjekt, asnjë tabor politik nuk e dëshiron bashkëpunimin me BDI-n” – tha Izet Mexhiti.

Kujtojmë se VMRO – DPMNE, e cila pritet t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, paralajmëroi se nuk do të bëjë koalicion qeveritar me BDI-në, por me opozitën shqiptare. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share