Grkovska kërkon të ketë kritere specifike për zgjedhjen e prokurorëve

GEER: EFEKTET E KORRUPSIONIT NDËR FAKTORËT KYÇ TË IKJES SË TË RINJVE

Zëvendëskryeministrja e politikave për qeverisje të mirë, Slavica Grkovska tha sot se, korrupsioni po vë në pikëpyetje ardhmërinë e shoqërive tona dhe se, problemi me korrupsionin duhet të ketë trajtim serioz dhe jo vetëm angazhim deklarativ. Në kuadër të konferencës rajonale për luftë kundër korrupsioni, Grkovska drejtoi sërish kritika ndaj prokurorëve. Ajo tha se, duhet të ketë kritere specifike për zgjedhjen e prokurorëve, varësisht prej asaj se në cilën gjykatë apo prokurori do të zgjidhen.

“Nuk mund të ketë kushte të përgjithshme edhe për Prokurorinë për Krim të Organizuar. Aty duhet të jenë prokurorë me përvojë, të cilët kanë veç më rekord në rastet e suksesshme nga fusha e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në kuptim të asaj se, duhet të fokusohemi ndaj rregulloreve dhe akteve nënligjore, megjithatë edhe ligjeve, siç është ai për Këshill Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve, të cilat mund të ndryshohen me shumicë të thjeshtë, ndërsa ka mënyra se si të përmirësohen zgjidhjet në ligjet aktuale, ndërsa të cilat shkaktojnë dobësi në funksionim” – tha Slavica Grkovska, zëvendëskryeministre e politikave për Qeverisje të mirë.

Shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer, tha se në luftën kundër korrupsionit nuk mjaftojnë fjalët e mira dhe qytetarët presin rezultate.

“Lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe ndërtim të një ambienti negativ për të gjitha shprehitë korruptive përmes përforcimit të sistemeve kyçe për integritet, furnizimet publike dhe menaxhimin me financat publike, si dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore të revizorit dhe trupave të antikorrupsionit dhe partneritet me shoqërinë civile, kompanitë dhe mediat e lira dhe të pavarura” – tha David Geer, euroambasador.

Ndërkaq, Sllagjana Taseva nga Transparency International tha se, problemi qëndron në politizimin dhe partizimin e institucioneve, për të cilin duhet të investohen të gjitha forcat për ta tejkaluar.

“E kemi problemin në politizimin e institucioneve dhe partizimin. Njerëzit që dinë dhe munden nuk janë në pozicionet ku duhet të jenë, sepse aty vendosen persona të pranueshëm dhe  të përshtatshëm të cilët janë të afërt me disa qarqe dhe jo ato të cilët e kryejnë më së miri punën” – tha Slagjana Taseva, Transparency International.

Zëvendës shefi i misionit të SHBA-së në Shkup, Eric Meyer sot rikujtoi se, SHBA ka investuar shumë mjetet për përforcimin e kapaciteteve të prokurorëve dhe gjykatësve, por kjo nuk ka reflektuar me rezultate konkrete në këtë fushë. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share