Pas bisedimeve dyditëshe me mysafiren e tij nga Bullgaria, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka deklaruar se në sesionin e fundjavës janë krijuar kushte për kontakte edhe më intensive të ekspertëve të të dyja palëve, që të vijë deri te zgjidhja e pranueshme në të cilën nuk do të ketë fitues dhe humbës. Osmani pranon se koha është e shkurtër deri në fund të qershorit, për kur pati optimizëm se Bullgaria do ta heqë veton për negociatat aderuese në mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, duke shtuar se “cilësia e zgjidhjes nuk duhet të jetë viktimë e kohës.”
Përfunduan bisedimet dyditore në mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, por detaje konkrete për atë si të arrihet kompromis eventual që do të shpie në zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, për momentin nuk ka dhënë asnjëra palë.
“Këto bisedime kanë krijuar parakushte për intensifikim në ditët në vijim me qëllim që të gjendet ndonjë zgjidhje, ka pasur progres në prezantimin e pozicioneve të të dyja palëve, në mirëkuptimin e pozicioneve të të dyja palëve, shpresoj që në ditët në vijim do të vazhdojë ky komunikim, ndërsa ato mendime të marrin formën e propozimeve konkrete të cilat duhet të jenë bazë për zgjidhje,” deklaroi Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme
Duke pasur parasysh qëndrimin e ngurtë të kreut të shtetit në Sofje, a është e gatshme pala maqedonase të heqë dorë nga pozicionet e deritanishme?
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Qëndrimi im është se ciladoqoftë zgjidhje duhet të jetë dinjitoze dhe e pranueshme për të dyja palët, të mos lë njërën anë të kënaqur dhe njërën të pakënaqur. Të dyja palët janë të motivuara të vazhdojnë, por kemi ende punë, ndërsa koha është e shkurtër. Janë të rëndësishme edhe koha, edhe cilësia e zgjidhjes, cilësia nuk duhet të jetë viktimë e kohës, duhet të garantojë qëndrueshmëri të marrëdhënieve me Bullgarinë,”deklaroi Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme
Njollë në bisedimet dyditëshe për tejkalimin e kontestit në mes Shkupit dhe Sofjes ka lënë incident ii djeshëm me djegien e derës së hyrjes të klubit të bullgarëve në Manastir, për çka institucionet në vend vazhdojnë hetimet, ndërsa Ministrja Teodora Gençovska për mediat bullgare ka zbardhur detaje.
“Pritshëmritë e mia janë se sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut do ta kryejë punën e tij. Në pamje mund të shihet njeri i cili me qetësi arrin me biçikletë dhe qetë derdh lëng të djegshëm para derës së objektit. Zjarri është shprehje e gjuhës së urrejtjes. Pritshmëritë tona janë se Maqedonia e Veriut dhe Qeveria e saj do të kenë politikë konzistente dhe gjithëpërfshirëse për tejkalimin e gjuhës së urrejtjes,” deklaroi Teodora Gençovska, ministre e Punëve të Jashtme Bullgari
Gjithë kreu i shtetit në vend e ka dënuar incidentin, që nga fillimi i cilësuar si “zjarr i qëllimshëm”, por siç deklaroi Osmani sot, i njëjti nuk i ka penguar negociatat në mes dy ekipeve të ekspertëve për thyerjen e akullit në marrëdhëniet në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut./KlanMacedonia/