Osmani: Grubi nuk është ndërruar, është avancuar

“ORGANET E REJA PARTIAKE DO TË SJELLIN ENERGJI TË RE”

Raportet brenda partisë janë të mira dhe organet partiake që u zgjodhën dje do të sjellin një energji të re, kështu është shprehur zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani në pyetjen e gazetarëve se a kanë ndryshuar raportet në parti pas ndërrimit të zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga funksioni partiak sekretar organizativ. Ai madje tha se, Grubi nuk është ndërruar por, është avancuar.

“Askush nuk është ndërruar nga pozita, por është zgjedhur udhëheqësi në të cilën Këshilli i Përgjithshëm i partisë ka vendosur jo vetëm për anëtarët e kryesisë qendrore por edhe për nënkryetarët dhe sekretarët gjeneral. Madje, mendoj se Artan Grubi është avancuar në këtë kryesi qendrore sepse është anëtar i kryesisë. Raportet janë të mirë. Përsëri do ta them, organizatat politike në të vërtetë përbëhen nga njerëz të cilët paraqesin elektorat të ndryshëm” – tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm

Ndërkaq, në lidhje me pakënaqësitë që kryparlamentari Talat Xhaferi shprehi gjatë mbledhjes së djeshme partiake, i cili kërkoi që të ketë edhe një nënkryetar nga Gostivari, Osmani tha se lufta që të përfaqësohen interesat e elektoratit prej nga vini meriton respekt.

Pas pakënaqësive të shprehura përmes një letre publike drejtuar kreut të partisë, Ali Ahmeti nga një grup i anëtarëve të BDI-së, partia dje në Tetovë zgjodhi organet e reja partiake. Në këtë letër, ata kërkuan reforma në parti, ndërsa akuzuan Grubin se, vendosë vet për zgjedhjet kadrovike dhe ka sjellje arrogante, me çka ka shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe votuesve. Një pjesë e anëtarëve të ri të udhëheqësisë së partisë janë nënshkrues të kësaj letre. Si pjesë e ndryshimeve të reja, Grubi u hoq nga pozita e sekretarit organizativ dhe është zgjedhur anëtar i kryesisë qendrore, ndërsa në pozitën e sekretarit organizativ është vendosur Blerim Bexheti, i cili po ashtu ishte e pjesë e të ashtuquajturit “grup i zjarrit”. /KlanMacedonia/

Gazetar: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share