Kryeministri hungarez Viktor Orban e vlerësoi të papranueshme marrëveshjen brenda Bashkimit Evropian (BE) për rishikimin e rregullave në lidhje me migrantët dhe azilkërkuesit.
“Brukseli po e keqpërdorë pushtetin e tij. Ata duan të zhvendosin me forcë migrantët në Hungari. Kjo është e papranueshme, ata duan ta kthejnë me forcë Hungarinë në një vend migrantësh”, tha Orban, më 9 qershor.
Një ditë më parë, ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të BE-së ranë dakord për dy propozime kryesore ligjore për migracionin dhe azilin, të cilat duhet të jenë shtyllat kryesore të reformave në këtë fushë.
Parashikohet ndihma e detyrueshme midis vendeve të BE-së, me mundësinë e realizimit në njërën nga dy mënyrat. Pprioriteti është që vendet e BE-së të ndajnë akomodimin për azilkërkuesit, duke pranuar shumë prej atyre që arrijnë në vendet, të cilat janë në skajet e jashtme të bllokut, kryesisht në Greqi dhe Itali.
Ministrja suedeze e migracionit, Maria Malmer Stenergaard, tha gjithashtu se u miratua propozimi i shtetit të saj, që nënkupton se vendet që nuk duan të pranojnë migrantë, mund të paguajnë 20,000 euro për një migrant.
Sistemi evropian i azilit u shemb tetë vjet më parë, pasi më shumë se një milion njerëz hynë në Evropë, duke ikur nga konflikti në Siri. Objektet për pranim në Greqi dhe Itali ishin të stërmbushura, gjë që rezultoi në një krizë politike në BE.
Që atëherë, 27 shtetet anëtare evropiane kanë debatuar se cilat vende duhet të marrin përgjegjësinë për njerëzit që vijnë pa leje, si dhe nëse anëtarët e tjerë duhet të jenë të detyruar t’i ndihmojnë ato.
Për të mbështetur propozimet e reja ligjore për migracionin dhe azilin, kërkohej një shumicë e kualifikuar – dy të tretat e shteteve anëtare, ku jetojnë dy të tretat e rreth 450 milionë njerëzve në BE.
Ndër vendet që votuan kundër ishte Hungaria. Zëvendësministri hungarez i Brendshëm, Bence Retvari, tha se BE-ja “po i eliminon opinionet e vendeve anëtare se kush jeton në territoret e tyre”.
Pas votimit të qëndrimit të përbashkët të shteteve anëtare për dy propozime legjislative, të cilat do të trajtojnë çështjet e migracionit dhe azilit, do të pasojnë negociatat me Parlamentin Evropian.
Pritet që paketa e propozimeve ligjore për migracionin dhe azilin të miratohet deri në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian, në qershor të vitit 2024./REL