Opozita paralajmëron amendamente për Korridoret 8 dhe 10

VMRO – DPMNE Qeveria ka pranuar të paguajë dënime nëse nuk ndryshohen ligjet 

VMRO – DPMNE – ja pretendon se, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, në kuadër të marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, kanë pranuar që të paguajnë dënime prej 200 milionë euro, nëse nuk ndryshohen ligjet në favor të kontraktuesve të korridoreve, percjell KlanM.

Partitë opozitare maqedonase kanë paralajmëruar sot se, do të bllokojnë me amendamente ligjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e autostradave. Nga VMRO-DPMNE-ja, siç njofton KlanM, thanë sot se, veç më kanë dorëzuar amendamente në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale, në lidhje me ligjin për marrëdhënie pune.

“Këto ditë i kemi shqyrtuar këto ligje dhe në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale veç më kemi dorëzuar dy apo tre amendamente që kanë të bëjnë me vërejtjet tona më të mëdha. Qëllimi është që të përmirësohen ligjet. Ekipet tona po i shqyrtojnë ligjet, kur të kemi gati materiale dhe amendamente për përmirësimin e ligjeve do t’i caktojmë komisionet tona”,tha Eli Panova.

Partia “E Majta” po ashtu kundërshton këto ligje. Deputeti Borisllav Krmov nga kjo parti, siç njofton KlanM, tha se, do të bëjnë çmos për të penguar këto ligje, megjithatë sipas tij, VMRO e ka në dorë që të mos lejojë votimin e tyre.

“Ligjet duhet të shqyrtohen në katër komisione, me tre prej të cilave udhëheqë VMRO – DPMNE. Nëse diçka kalon, do të kalojë sepse partia më e madhe opozitare dëshiron të kalojë. Ne me dy deputetë do të bëjmë çmos që të parandalojmë këtë, me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion”,tha Borisllav Krmov.

Edhe partia VMRO – partia popullore paralajmëroi amendamente për të gjitha ligjet sa i përket ndërtimit të autostradës.

“I parashtrojmë Qeverisë propozim për ndërtim të autostradës në tërësi të Korridorit 8 dhe nga Kumanova deri te vendkalimi kufitar Deve Bair, sepse propozim ligji e definon vetëm pjesën nga Tetova deri te vendkalimi kufitar Qafëthanë dhe jo gjithë Korridorin 8, ndërsa gjithashtu edhe ndërtimin e zgjidhjes së autostradës së Korridorit 10d në tërësi, nga Velesi – Prilepi – Manastiri deri në vendkalimin kufitar Mexhitlija”,tha Lupço Balkoski.

Kuvendi dje votoi në lexim të parë 8 ligje në lidhje me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Ligjet, sic njofton KlanM, tani duhet të diskutohen nëpër komisione amë dhe më pas të kthehen në seancë plenare./KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share