OKB thirrje Rusisë t’i rikthehet marrëveshjes së drithërave

Propozimi vjen para takimit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij turk, Recep Tayyip Erdogan

Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka dërguar një propozim ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për t’u rikthyer në marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi që do të lejonte eksportin e sigurtë të grurit ukrainas .

“Unë besoj se kemi paraqitur një propozim që mund të jetë baza për një rinovim që duhet të jetë i qëndrueshëm. Ne nuk mund të kemi një nismë të Detit të Zi që kalon nga kriza në krizë, nga pezullimi në pezullim. Ne duhet të kemi diçka që funksionon dhe që funksionon në të mirë të të gjithëve”, deklaroi Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Një diplomat rus, duke folur në kushte anonimiteti, është shprehur se letra e OKB-së nuk përmban asgjë të re përveçse përmbledh idetë e mëparshme të OKB-së, për eksporte të sigurta të cilat nuk u realizuan.  Ndërkaq Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia nuk sheh asnjë sinjal garancie për ta lejuar rifillimin e marrëveshjes së grurit përmes Detit të Zi.

Rusia ka thënë se nëse kërkesat për të përmirësuar eksportet e saj të drithërave dhe plehrave do të përmbusheshin, ajo do të konsideronte rikthmin në marrëveshje. Një nga kërkesat kryesore të Moskës është që Banka Bujqësore Ruse të rilidhet me sistemin e pagesave ndërkombëtare SËIFT të cilin BE-ja e ndërpreu atë në qershor 2022.

Ndërsa eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës, Moska ka thënë se kufizimet në pagesa, logjistikë dhe sigurime kanë penguar dërgesat.

Letra e Guterres vjen përpara takimit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij turk, Tayyip Erdogan. Ata pritet të takohen të hënën për të  diskutuar kryesisht eksportet e grurit të Detit të Zi./KlanNews

Lexo gjithashtu
Total
0
Share