Në Ohër sot fillon konferenca ndërkombëtare dyditore Forumi i Prespës për Dialog, në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, edicioni i të cilit këtë vit e mban emrin “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore të sigurisë”.
Në këtë forum pritet të marrin pjesë edhe: Ana Bërbabiq, kryeministre e Serbisë, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Matteo Bonomi, ekspert i ekonomisë nga Instituti Ndërkombëtar në Romë. Gjithashtu pritet të marrin pjesë edhe disa presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, që do të diskutojnë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa si nikoqir në këtë forum, Kryeministri Kovaçevski do të mbajë një sërë takimesh mes të cilave edhe me përfaqësuesit special nga rajoni, nga SHBA-të Gabriel Eskobar, nga BE-ja Miroslav Lajçak, me Rozmari Di Karlo, ndihmëssekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështje politike.
Kryeministri Kovaçevski si folës kryesor do të hap seancën me temë “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”, më 17 qershor të vitit 2022, në orën 09:30./KlanMacedonia/