OBSH-ja paralajmëron shpërthimin e epidemive në Gaza

Jeta në Gazën e shkatërruar vazhdon, pavarësisht tmerrit të luftës. Këto pamjet të marra me dron shfaqin banorët e Khan Younis-it duke shfrytëzuar armëpushimin për t’u furnizuar me ato pak ushqime që gjenden.

Dhjetëra njerëz shihen të mbledhur në pikat e karburantit, të tjerë krijuan radhë për mallrat e tjera bazë, përfshirë ushqimin dhe gazin për gatim.

Por përveç urisë dhe bombardimeve izraelite, tani Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se banorët e Gazës mund të vdesin nga sëmundjet. Autoritetet shëndetësore thonë se mbi 15,000 njerëz janë konfirmuar të vrarë nga bombardimet e Izraelit, rreth 40% e tyre fëmijë, me shumë të tjerë që dyshohet se ndodhen të humbur nën rrënoja.

Duke folur në një konferencë të OKB-së në Gjenevë, Margaret Harris e OBSH-së përsëriti shqetësimin e shpërthimit të sëmundjeve infektive, veçanërisht sëmundjeve infektive.

“Pra, përfundimisht do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundjet sesa po shohim nga bombardimet. Kjo do të ndodhë nëse nuk jemi në gjendje të rindërtojmë së bashku sistemin shëndetësor dhe të sigurojmë bazat e jetës: ushqimin, ujin, ilaçet dhe sigurisht karburantin për të funksionuar spitalet.”

Duke përfituar nga armëpushimi disaditor fermerët e ullirit në Rripin e Gazës shkuan për të mbledhur ata çka ka mbetur nga prodhimi i këtij viti.

“Duhet të përfitojmë nga kjo mundësi, nuk ka kohë. Ne po mundohemi ta bëjmë këtë me të gjitha burimet që kemi në këto gjashtë ditë, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së mjeteve. Po përpiqemi të mbledhim sa më shumë që të mundemi, ky frut është gjithçka që kemi, kështu sigurojmë jetesën vit pas viti, nuk kemi alternativa të tjera.”

Teksa punëtorët në fermën e tij të ullirit mbledhin ullinjtë e mbetur ai shton:

“Kjo luftë na shkatërroi, nuk ka prodhim. Pjesa më e madhe e të korrave u shpërdorua.”

Mungesa e energjisë elektrike pengon shtrydhjen e ullirit. Tani është Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) që po dërgon ndihma humanitare për më shumë se 120,000 njerëz në Gaza që nga fillimi i një armëpushimit.

“Sot nuk kam asgjë në këtë botë veç kujtimeve. Gjithçka është zhdukur”.

Ky është Yasser Abu Shamaleh, i ulur mbi një grumbull rrënojash të shtëpisë së tij në Khan Younis të rrafshuar nga bombardimet izraelite. Abu Shamaleh kërkoi më kot nëpër mbeturinat në lagjen e tij për ndonjë gjë që mund të shpëtonte. Ai gjithashtu shpresonte të gjente një kushëri të tij të bllokuar ende nën rrënoja.

Banori i Gazës tha se ka humbur 37 anëtarë të familjes që nga fillimi i luftës. Ai tregon se dy ndërtesat e familjes së tij u rrafshuan nga sulmet ajrore izraelite më 26 tetor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share