O’brien: Qytetarët përballen para një vendimi kyç në muajt në vijim

KOVAÇEVSKI: PLANI I RRITJES DËSHMI PËR SERIOZITETIN E BE-SË NDAJ INTEGRIMIT TË RAJONIT

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut muajt në vijim do të ndodhen para një zgjedhje të qartë, mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe diçka krejtësisht ndryshe. Kështu porosit sot nga Shkupi ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së, James O’Brien, sipas të cilit, vendimi varet nga qytetarët, ndërsa sipas pikëpamjes së SHBA-së, qytetarët duan ta shohin vendin pjesë të Evropës, sa më shpejtë të jetë e mundur. I pyetur se, a janë të sakta informatat se, faktori ndërkombëtar po u bën presion partive politik shqiptare, për të nënshkruar non-paper, me të cilin obligohen që të mos koalicionojnë me partinë e cila gjashtë muaj pas zgjedhjeve, nuk do të zbatojë ndryshime kushtetuese, zyrtari amerikan tha se nuk ka njohuri për këtë, por vlerësoi se, do të ishte fer që qytetarë të kërkojnë nga VMRO – DPMNE të ofrojë non – paper, në të cilën do ta sqarojë vizionin për rrugën përpara.

“Nuk di asgjë për këtë. Vlerësojmë se varet nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin për rrugën më tej. Vlerësoj se njëra parti propozim rrugë përpara dhe merr kritika, sepse disa njerëzve u pëlqen apo nuk u pëlqen ai drejtim. Partia tjetër premton se do ta mendojë një mënyrë me të cilën do të ecin përpara dhe mendoj se është e drejtë që qytetarët e shtetit ta pyesin atë parti për këtë non paper dhe ata të vendosin mes vizionit që din dhe atë që jepet si premtim”, tha James O’brien.

Ndërkaq, në konferencën e përbashkët me zyrtarin amerikan, në kuadër të mbledhjes së liderëve të vendeve nga Ballkani Perëndimor për planin e BE-së për rritjen e rajonit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se, plani për rritje është konfirmimi më serioz deri më tani nga Bashkimi Evropian se, ata kanë plan konkret për integrim efikas evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Unë e shoh planin e rritjes së BE-së si një lehtësues që i hap rrugën tregut të përbashkët evropian dhe rrjedhës së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Ky kuadër i strukturuar, i përforcuar me mbështetje financiare, bëhet çelësi i integrimit të pandërprerë. Kjo i inkurajon miratimin e rregulloreve dhe standardeve të BE-së, duke promovuar integrimin si në rajon ashtu edhe në BE. Kjo strategji e dyfishtë e integrimit jo vetëm që përshpejton procesin e anëtarësimit në BE, por gjithashtu sjell përfitime të menjëhershme, si rritja e tregtisë dhe investimeve, përmirësimi i konkurrencës dhe përmirësimi i lidhjes rajonale”, tha Dimitar Kovaçevski.

Në samitin e sotëm në Shkup morën pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe dy liderët shqiptar Albin Kurti dhe Edi Rama. Po ashtu pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e lartë të administratës amerikane e të Bashkimit Evropian./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share