Obeziteti shton sëmundjet kronike

Ekspertja Toci: 16.4% e grave dhe mbi 13% e burrave janë obez, shqetësim rritja e shifrave te fëmijët

Obeziteti ka shënuar një rritje në popullsi në 10 vitet e fundit, sipas të dhënave të Shëndetit Publik, duke u bërë një rrezik për disa sëmundje kronike.

“Obeziteti tek femrat dhe meshkujt e rritur është në rritje, mbipesha është një faktor madhor që lidhet me sëmundjet kardiovaskulare apo sëmundje të tjera kronike.”

Obeziteti tek femrat është më i lartë, ka arritur në nivelin mbi 16% nga 9.7% që ishte më parë, ndërsa tek meshkujt nga 8.5% është mbi 13%. Sa i përketë mbipeshës, është pothuajse në të njejtat nivele. 40% tek burrat dhe rreth 29% tek gratë. Mbipesha është shqetësim edhe tek fëmijët, sipas ekspertes Dorina Toçi.

“Tek fëmijët prevalenca e mbipeshës varion midis 10 deri në 15%. Këta fëmijë kanë rrezik të shtuar për të zhvilluar diabetin në të ardhmen, hipertensionin arterial, për të pasur yndyrnat, nivelin e kolesterolit të lartë në gjak.”

Ekspertja apelon për një dietë të shëndetshme ushqimore.

“Është shumë e rëndësishme të mos konsumohen ushqimet e ambalazhuara ose të gatshme. Duhet kryer aktivitet fizik, në të paktën 3 ditë të javës duhet të ushqehemi sa më shëndetshëm, sa më shumë fruta dhe perime, dhe ushqime të gatuara në shtëpi.”

Parashikimet e OBSH por edhe projeksionet e ISHP-ës flasin për një shtim të obezitetit të popullsisë në vendin tonë dhe në mbarë botën, kjo e ndikuar edhe nga pandemia e Covid-19.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share