“Nuk shkoj 5 herë në ditë në xhami”, myftiu: Si do të jetë kriteri i të qenurit praktikant?

Myftiu  i Korçës, Ledian Cikalleshi shpjegon në “Opinion” në Tv Klan  nëse duhet bërë regjistrimi i fesë në Censin e popullsisë. Sipas tij, problemi nuk qëndron te rezultati i përqindjes por te kriteri i të qenurit praktikant, pjesë që në Censin e 2011 ka krijuar konfuzion tek të anketuarit.

Ledian Cikalleshi: Sipas përkatësisë fetare është detyrim ligjor, por edhe fetar që njerëzit të shprehin çfarë kanë në ndjenjat e tyre, në besimin e tyre, se çfarë besojnë dhesi besojnë. Ne nuk jemi kundër pjesës që qytetarët të mos pyeten për pjesën fetare. Nuk shqetësohemi as për përgjigjet e tyre dhe nëse kjo mund të bëjë që të bjerë numri i besimtarëve tanë të cilët ndoshta që nga koha e Zogut pjesa myslimane ka qenë mazhoritare, 70%. Në censusin e 2011, ishte 56% për pjesën myslimane pa bektashinjtë dhe sot nuk e dimë si do të jetë  pjesa e përqindjes.

Problemi që ne kemi hasur gjatë censusit të 2011, gjatë asaj periudhe unë kam qenë myfti në zonën  e Kurbinit, në Laç dhe Mamurrasin dhe Milotin që përfshinte këto zonat dhe më ankoheshin besimtarët që vinin dhe i bënin pyetjen je praktikant? Dhe një pjesë e njerëzver ishin konfuzë dhe thonin “ç’do të thotë të jesh praktikant?”

Në atë zonë nuk është se feja është e praktikuar si në vendet e tjera,  nuk kam shumë informacione, por besimin, dëshirën për të besuar dhe për të ardhur në xhami për të mësuar e kanë. Në momentin që pyesnin “ç’do të thotë praktikant?”, anketuesit i thonin “të shkosh 5 herë në ditë në xhami” dhe në atë moment përgjigjja ishte “jo, 5 herë nuk shkoj”. Në atë moment përgjigja ishte nuk jam praktikant ose preferoj të mos përgjigjem për këtë pjesë.

Blendi Fevziu: Pra ky ishte kriteri të shkosh 5 herë në xhami?

Ledian Cikalleshi: Po.

Blendi Fevziu: Po për një ortodoks si e pyesnin për shembull?

Ledian Cikalleshi: Nga ato që kam pyetur, “a shkon javë për javë, ditën e diel në kishë? Jo, nuk shkoj”, pra i bie që nuk është praktikant, pra si do jetë kriteri i të qenurit praktikant?/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share