“Notonim në gjak…” – Të mbijetuarit e masakrës së Poklekut rrëfejnë tmerrin: Asnjëherë s’u intervistuam nga hetuesia

Të mbijetuarit e masakrës se Poklekut, të komunës së Drenasit kanë rrëfyer tmerrin që e kanë përjetuar, ku janë vrarë mbi 50 civilë shqiptarë, shumica prej tyre fëmije, gra e pleq.

Kësaj masakre i shpëtuan gjashtë dëshmitarë, të cilët arritën të iknin nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitarja e kësaj masakre, Lumnije Muqolli, që mezi tregonte ngjarjen e tmerrshme që kishte përjetuar, tha se mbi 50 qytetarë serbët i kishin futur në sallon e shtëpisë së familjes Muqolli, ku i kishin pushkatuar e më pas i kishin djegur.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ajo tha se në atë sallon trupat e viktimave “notonin” në gjak, sipas saj, në shtëpi kishin mbetur shumë të plagosur, që u dogjën për së gjalli.

Ajo tha se është plagosur edhe vetë po që ka arritur që të shpëtojë së bashku me vajzën e saj dhe djalin e kunatës.

“Sot është 17 prill që kam përjetuar shumë momente të rëna. Në atë masakër kemi qenë 53 anëtar e 6 dëshmitarë që kemi shpëtuar nga masakra, një nuk jeton më. Unë kam shpëtuar me qikën, i ka pasur 3 vite e gjysmë dhe me djalin e kunatës Leutrimin”.

“Kur ka ndodhur rasti u kanë ora 04:30 në mbrëmje, kanë ardhur serbët, na kanë shti në atë shtëpinë, kena tentuar na me dalë prej asaj dhome, kur jena dal na kanë bërtit. Na kanë fut brenda. E kanë marr bacin Sinanin edhe Imerin edhe i kanë vra afër shtëpisëë ku u kanë masakra edhe aty e kemi ditë se çka ka ndodh me ta edhe çka ka ndodh me neve”.

“Në sallon kur jemi kanë, në korridor u hi një polic e ka gju me automat që mos me dal na jashtë tani tanë jena hi me atë sallon, jemi tubuar me një venë. Një polic e ka gjuajtur bombë, ka gjuajtur gaz si helm, kam nisur që të trollohem. Kanë filluar me gjuajt me automat, ka gjuajt sa ka mujt deri sa ja ka marr mendja që i ka mbyt krejt. Kur u ndal jena qu kush jemi kanë gjallë, unë djali i kunatës, qiken e kam pas 3 vite e gjysmë. Kur e kam pa se janë do të gjallë, por nuk jam kanë në gjendje jo të mirë për veti. Nisha bërtitma të njerëzve që janë plagos”, tha ajo.

Ajo tha se aty ka pasur njerëz të shtypur, njerëz me tru jashtë, e të plagosur. Ajo tregon edhe momentin më të vështirë e ka pasur për të dalë dalë nga shtëpia për të kërkuar ndihmë për të plagosurit, por e ka parë se paramilitarët serb i kishin djegur edhe shtëpinë.

“Në atë moment qysh me ka ruajt Zoti, jam mundu me ja dhënë një ndihmë, por nuk kam mujtur se kam qenë edhe vetë e plagosur. Zani i Leotrimit më trishtojke, edhe sot e kam në vesh sepse e kërkojke nënën e vetë. Kur jam qu e kam parë vetën sikur në lum kur të notojsh nga gjaku, është një tmerr i rënë që me i vra njerëzit brenda. Kur i kam parë njerëzit krejt të shtypur, ka pasur tru jashtë, ka pasur me duar krejt llom, jam mundu ata me i largu, se gjashtë janë metë ashtu”

E dëshmitari tjetër i kësaj masakre, Hisen Klunaj, tha se edhe pas 24 vjetëve nuk ka drejtësi për këtë masakër.

Sipas tij, as Prokuroria e Kosovës, as organizatat për të drejta të njeriut nuk i kanë intervistuar këta dëshmitarë. Ai tha se në këtë masakër është vrarë edhe fëmija tetë muajsh.

“As një Prokuror i Kosovës shqiptarë nuk na kanë marr në pyetje, mu jo. E dyta as prej të drejtave të njeriut nga tont, të huajt po kanë marr dëshmi. Këta kurrë marr gja në pyetje nuk na kanë marr. Kjo është intervistë e jemja që jam i gjallë unë kam qenë aty. U vra fëmija 8 muajsh aty . Nuk po e di si e kanë”’ tha ai.

Ai falënderoj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që ka rrezikuar gjatë natës dhe i ka larguar eshtrat e viktimave, pasi sipas tij po të mos i largonin ata, edhe eshtrat e viktimave nuk do të ishin më.

“53 veta aty janë shkuar, 51 janë hyrë në sanak, Imeri e Sinani i kanë gjuajtur në bunar, pas lufte i kanë nxjerr. Duhet të i’u dimë për nderë UÇK që kanë rreziku natën i kanë marr eshtrat, sepse po të mos kishin hyre natën as eshtrat nuk do ti kishim gjetur, siç kanë humbur të tjerët. Siç i kanë nxjerrë ata nga bunari”, tha ai.

Gjatë ditës në këtë fashat kanë bërë homazhe krerë institucionesh, përfaqësues të partive e familjarë.

Të hënën janë bërë 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share