Një vit nga ngjarja tragjike në spitalin modular në Tetovë

NISI PROCESI GJYQËSOR, AKUZA PËR DY DREJTORË DHE NJË MJEK

Sot mbushen një vjet nga zjarri në Spitalin Modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, që ishin për mjekim për shkak të diagnostikimit me COVID-19. Zjarri shpërtheu më 8 Shtator rreth orës 21.00 në objektin montues të Spitalit modular.

Pas zjarrit ishin konstatuar 14 raste të vdekjeve, derisa 12 pacientë I mbijetuan zjarrit dhe ishin hospitalizuar nëpër objekte tjera të spitalit. Këshilli I Komunës së Tetovës në një seancë të jashtëzakonshme shpalli tri ditë zie, nga 9 deri më 11 Shtator.

Pasi ishin kryer ekspertiza në vendngjarje, Prokuroria Themelore në Tetovë bëri edhe ekspertiza tjera që të konstatohen rrethanat e zjarrit vdekjeprurës. Analiza të ekspertëve ishin bërë nga MPB-ja, Fakulteti Teknologjik, por edhe nga ekspertë dhe hetues nga policia federale kriminalistike e Gjermanisë.

Në Tetor 2021 pas ekspertizës së MPB-së, Prokuroria njoftoi se zjarri ka ndodhur si pasojë e djegies së kabllosë vazhduese, ku kanë qenë të kyçur defibrilatori – aparati për reanimacion, një mbushës i celularit dhe një aparat tjetër.

Hetimet, grumbullimi I dëshmive dhe dorëzimi I propozim akuzës në Gjykatën Themelore në Tetovës zgjatën deri më 27 Korrik 2022. Prokuroria dorëzoi padi penale për dy drejtorë dhe një mjek dhe për Spitalin Klinik të Tetovës si person juridik.

Dy të akuzuarit e parë, Drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi ngarkohen se kanë kryer veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, kurse I akuzuari I tretë mjeku Boban Vuçevski për veprën “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Më 06 Shtator në Gjykatën Themelore në Tetovës u caktua seanca e parë, që më pas të anulohet për më 14 Tetor për shkak të mungesës së dy nga të akuzuarit. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share