5 persona mbetën të vrarë dhe nëntë u plagosen
Shtetet e Bashkuara të Amerikës tronditen sërish nga një tjetër sulm me armë. Një 25 vjeçar hapi zjarr në një bankë në të cilën punonte duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur nëntë të tjerë në Kentaki. Agresori e kishte paralajmëruar sulmin në një letër që i kishte shkruar prindërve të tij. Deri më tani këtë vit, vendi ka rregjistruar 146 të shtëna masive .
Një punonjës banke 25-vjeçar hapi zjarr në vendin e punës në qendër të qytetit Louisville, Kentaki dhe transmetoi drejtpërdrejt sulmin.
Nga sulmi mbetën të vrarë pesë persona dhe nëntë të tjerë u plagosën.Personi i armatosur u identifikua si Connor Sturgeon, një punonjës në Old National Bank. Ai u vra nga policia pas një shkëmbimi zjarri me autoritetet.
Katër nga viktimat të moshës 40 dhe 64 vjeç humbën jetën në vendin e ngjarjes ndërsa viktima e pestë humbi jetën në spital. Mes të plagosurëve është edhe një oficer policie 26-vjeçar i cili u diplomua në akademinë e policisë vetëm 10 ditë më parë . Të shtënat masive filluan në Bankën e Vjetër Kombëtare në East Main Street rreth 30 minuta përpara se banka të hapej për publikun. Kjo ndodhi gjatë një takimi të punonjësve në mëngjes.
Oficerët arritën në bankë brenda tre minutave zbuluan se sulmuesi ishte ende duke qëlluar. Oficerët u përplasën me të armatosurin, duke e vrarë atë. I armatosuri u njoftua se do të pushohej nga puna që sipas autoriteteve mund ta ketë nxitur që të ndërmarri aktin tragjik.
25 vjeçari kishte punuar në bankë për më shumë se një vit dhe para se të ndërmerrte sulmin i kishte shkruar një letër prindërve dhe një miku të ngushtë të tij se do të sulmonte kolegët në bankë. Në 2018 një shkrim i botuar në faqen e internetit CourseHero,thuhej se Connor Sturgeon kishte pasur probleme të përshtatej në shkollë.
Sulmuesi punoi në bankë si praktikant për tre verëra nga viti 2018 deri në 2020 përpara se të bëhej punonjës me kohë të plotë në 2022 si bankier. Të shtënat masive janë bërë të zakonshme në Shtetet e Bashkuara. Deri më tani këtë vit, vendi ka rregjistruar 146 të shtëna masive . Në një nga incidentet më të rënda të kohëve të fundit ishte ajo e një shkolle në Tenesi ku 3 nxënës dhe 3 anëtarë të një shkolle u vranë në 27 mars. Në përgjigje të sulmit të bankës në Louisville, Presidenti Joe Biden përsëriti edhe një herë thirrjen e tij që Kongresi të miratojë legjislacionin për armët dhe kontrolle të historisë për të gjitha shitjet e armëve.
Përgatiti: Livia Kallfa