Një burrë, i identifikuar nga fqinjët si anëtar i familjes së pasur Rothschild, ndërroi jetë pas një zjarri që përfshiu një shtëpi dy-katëshe në kodrat e Hollywoodit.
Ekipet e zjarrfikësve iu përgjigjën thirrjes në bllokun 8500 të Lookout Mountain Avenue rreth orës 4:40 pasdite. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit, 45 zjarrfikës arritën të shuajnë zjarrin për rreth 33 minuta.
Zjarrfikësit gjetën një burrë të vdekur brenda shtëpisë. Zyrtarët ende nuk kanë bërë publik emrin e tij, por fqinjët e identifikuan atë si Will Rothschild, anëtar i fuqishëm i familjes bankare Rothschild, shkruan abc.
Shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga Mjeku Ligjor i Qarkut të Los Angelesit. Ende nuk është e qartë se çfarë mund ta ketë shkaktuar zjarrin, dhe ngjarja mbetet nën hetim. Nuk janë raportuar lëndime të tjera.
Rothschild u përshkrua nga fqinjët si një milioner – apo ndoshta miliarder – ekscentrik, me disa prona dhe dhjetëra vetura luksoze.
Në një rrugë të mbushur me shtëpi dhe vila me vlera shumë-milionëshe, të banuara nga figura të famshme dhe të fuqishme, thuhet se Rothschild jetonte i vetmuar.
Ndërsa disa fqinjë nuk e kishin parë kurrë dhe supozonin se shtëpia ishte bosh, ata që e njihnin shprehën trishtim për humbjen e tij.
Ndryshe, familja Rothschild është një familje fisnike bankiere e pasur hebreje , me origjinë nga Frankfurti. Historia e dokumentuar e familjes fillon në Frankfurtin e shekullit të XVI-të. Ata konsiderohen si një ndër familjet më të pasura në botë, në saje të zotërimit të shumë bankave anembanë botës.