NË ORËN 03.00 AKREPAT E ORËS KTHEHEN NJË ORË PRAPA
Sonte në orën 03.00, akrepat e orës kthehen një orë prapa, me çka zyrtarisht nis llogaritja dimërore e kohës.
Qeveria disa javë ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë që t`i shqyrtojë mundësitë rreth vazhdimit eventual të zbatimit të llogaritje verore të kohës, me qëllim të kursimeve shtesë në konsumin e përgjithshëm të energjisë elektrike.
Por, pas analizave të bëra, Qeveria vendosi se këtë dimër, megjithatë nuk do të ketë ndryshime në sistemin e deritashëm për llogaritjen e kohës.
Çdo gjashtë muaj në vendin tonë, si dhe në vende tjera të Evropës, qytetarët kalojnë ritualin e zhvendosjes së akrepave të orës – një orë para gjatë llogaritjes verore dhe një orë prapa gjatë asaj dimërore.
Debatin për shfuqizimin e llogaritjes verore dhe dimërore të kohës, para katër viteve, e kishte hapur edhe Komisioni Evropian. Atëherë në një anketë online madje 83% e qytetarëve të BE-së ishin prononcuar “për” heqjen e llogaritjes së këtillë të kohës, pas cka KE-ja dorëzoi propozim zyrtar në Parlamentin Evropian I cili ishte miratuar në vitin 2019.
Sipas kësaj, shfuqizimi duhej të zbatohej nga viti i kaluar, ku secili vend anëtar duhej të zgjidhte se cilën llogaritje të kohës do ta mbajë. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi./KlanMacedonia/