Zv/Ministri I Brendshëm, Astrit Iseni, duket se ka patur vështirësi për të përpiluar një tekst në rrjetin social Facebook, për të reaguar lidhur me zhvillimet e bujshme në Kumanovë.
Më skandaloze paraqitet postimi I parë me këtë përmbajtje;
“MPB ka indikacione se ngjarjet e mëngjesit në Kumanovë përkojnë me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminale”
Në postimin e tij të fundit në Facebook, Zv/Ministri Iseni, ka fshirë këtë pjesë dhe zotohet se MPB në mënyrë efikase do të zbardh rastin dhe personat e përfshirë do të japin përgjegjësi.
Nëse vërejmë historinë e editimeve, Zv/Ministri Iseni ka ndërhyrë dy herë në përmirësimin e tekstit dhe duke hequr deklaratën se ngjarjet e Kumanovës kanë të bëjnë me qërim hesapesh të grupeve kriminale, madje duke pohuar se MPB-ja ka indikacione për këto pohime.
Shtrohet pyetja se përse ka hequr tekstin skandaloz vetëm disa minuta pasi bëhet publike në profilin e tij në Facebook dhe nëse deklarata e tij është në një vijë me qëndrimin zyrtar të MPB-së?
Në postimin e fundit, Zv/Ministri Iseni thotë se për MPB-në të gjithë qytetarët janë prioritet.
Sipas tij, Banditët do të marrin dënimin e merituar, duke bërë thirrje deri te të gjithë qytetarët që rastet t’i marrin me gjakftohtësi dhe t’ua lejnë në dorë institucioneve shtetërore për t’i zbardhur ato. /tvklan.mk/