Nga e diela do të fillojë llogaritja verore e kohës

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, ka miratuar Vendim për ditën dhe çastin e fillimit dhe ditën dhe çastin e përfundimit të llogaritjes verore të kohës në vitin 2024, transmeton Portalb.mk

Llogaritja verore e kohës në vitin 2024 fillon më 31 mars në orën 02:00, kështu që me zhvendosjen e akrepave të orës për një orë përpara në 02:00, llogaritet si 03:00.

“Llogaritja verore e kohës përfundon më 27 tetor në orën 03:00, kështu që me zhvendosjen e akrepave të orës për një orë prapa në 03:00, llogaritet si 02:00. Vendimi për vendosjen e llogaritjes verore është në përputhje me Ligjin për matjen e kohës (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 17/96 dhe 16/97) dhe në përputhje me direktivat evropiane”, njoftuan nga Qeveria.

Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: të dielën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para.

E kujt ishte ideja që ora të ndryshohet?

Një anglez i quajtur William Willett në vitin 1907 prezantoi idenë e ‘Kohës Verore’, në mënyrë që njerëzit të mos i çojnë kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.

Ai e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Ai propozoi se ora duhet të shtyhet për 80 minuta në katër hapa progresiv gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.

Willett pastaj kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share