PETKOVIQ: VENDIMI PËR LËVIZJE TË LIRË, JO NJOHJE E KOSOVËS!
Qeveria e Serbisë tha të hënën në mbrëmje se nga një janari i vitit të ardhshëm, do të lejojë lëvizjen e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës nëpër territorin e saj. Aktualisht qytetarët e Kosovës që lëvizin nëpër territorin e Serbisë me targa të Kosovës, mbulojnë pjesën ku shkruan RKS me letër ngjitëse.
Nga 1 Janari 2024 makinat me targa RKS të Kosovës do të lëvizin në territorin e Serbisë. Vendimi është marrë nga autoritetet serbe në bazë të marrëveshjes së vitit 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Zyrtarët serbë insistojnë se kjo nuk mund të kuptohet si njohje e Kosovës.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes” tha Petar Petkoviq, zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe.
Çështja e targave të makinave shpeshherë ka çuar në tensione të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërsa ka shtyrë diplomatët perëndimorë për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon posaçërisht pas ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Ndërsa Prishtinës i kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Beogradit i kërkohet të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.