Netanyahu zotohet të vazhdojë ofensivën e Rafahut

Tensionet rriten në kufi pasi ushtria izraelite vret dhjetë civilë në Liban, Hezbollahu paralajmëron hakmarrje

Por pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe vendeve të tjera, kryeministri izraelit është zotuar që të vijojë ofensivën tokësore në Rafah edhe pse kjo do të rezultojë në një katastrofë të madhe në enklavën e bombarduar.

Nëpërmjet një video-mesazhi, Netanjahu urdhëroi ushtrinë të përgatitet për të nisur sulmin tokësor.

“Hamasi duhet të spastrohet nga Rripi i Gazës. Do të luftojmë deri në fitore të plotë dhe kjo përfshin një ndërhyrje të plotë në Rafah, pasi të lejojmë largimin e popullsisë civile nga zona e betejës.”

Qyteti i ndodhur në skajin jugperëndimor të Rripit të Gazës është bastioni i fundit i Hamasit. Aty kanë gjetur strehë mbi 1.5 milionë palestinezë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre në qytete të tjerë të Rripit të Gazës për t’i shpëtuar sulmit të ushtrisë izraelite kundër Hamasit. Përveçse rrezikon jetët e civilëve, ndërhyrja tokësore e ushtrisë izraelite mund të bllokojë pikën kufitare me Egjiptin.

Presidenti francez Emmanuel Macron ishte mes atyre që paralajmëruan Netanyahun, duke i thënë se kostoja njerëzore e operacionit të Izraelit në Gaza do të jetë “e patolerueshme”.

Ndërkaq tanket izraelite dhe bombardime intensive u dëgjuan mëngjesin e kësaj të enjte, teksa ushtria hyri në spitalin Nasser në Khan Younis pasi urdhëroi banorët të evakuoheshin.

Eksodi i Rafahut filloi ndërsa ushtria izraelite shtoi sulmet ajrore përpara një operacioni të frikshëm tokësor në qytetin jugor që dikur ishte caktuar një “zonë e sigurt”.

Pa dhënë prova, ushtria izraelite ka bërë të ditur se Hamasi po mban robër në Spitalin Nasser , duke shtuar se luftëtarët kanë përdorur kompleksin mjekësor për operacionet e tyre. Ushtria shënjestroi vendn ku mbaheshin ambulancat dhe tendat e e palestinezëve të zhvendosur në afërsi trë spitalit.

Ndërkaq nga ana tjetër tensionet janë rritur edhe në kufirin me Libanin. Të paktën 12 sulme ajrore izraelite shënjestruan zona afër kufirit. Grupi Hezbollah paralajmëroi se Izraeli do të paguajë “çmimin më të rëndë” për vrasjen e 10 personave, përfshirë pesë fëmijë në Libanin jugor. Disa nga luftëtarët e grupit të armatosur libanez u vranë gjithashtu në sulme.

Në Nabatijeh në kufirin me Libanin, sulmet izraelite dëmtuan një ndërtesë, duke vrarë shtatë anëtarë të një familjeje të njëjtë, përfshirë një fëmijë. Kryeministri i përkohshëm i Libanit dënoi sulmet dhe udhëzoi ministrin e tij të jashtëm, të dërgonte një ankesë të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për sulmet nga pala izraelite. Hezbollahu ka thënë se fushata e tij do të ndalet vetëm kur Izraeli të ndalojë ofensivën e tij në Rripin e Gazës. Dhuna ka zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz në të dy anët e kufirit.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share