Nesër do të shpallet gjendje krize në energjetikë

Gjendje krize në pjesën e energjetikës pritet të shpallet nesër. Vendimi do të jetë i vlefshëm nga 1 shtatori, ndërsa sipas paralajmërimeve të autoriteteve nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike në periudhën e dimrit nëse gjithçka shkon sipas planit. Madje, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursimin e energjisë elektrike që i miratoi Qeveria të cilat do të vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së fundmi në konferencë për media tha se nuk pret të ketë kufizime nëse gjithçka shkon sipas planit të Kompanisë elektroekonomike të Maqedonisë së Veriut.

“Nëse shkohet sipas planit të EMV, nuk presim të ketë restrikcione. Po bisedojmë edhe me udhëheqësitë e ministrive në Serbi dhe Bullgari që të mos ketë ndërprerje të kapaciteteve ndërkufitare si në vitin 2009 që të mos ketë problem në pjesën e furnizimit të konsumatorëve në tregun e lirë dhe këto janë kompanitë më të mëdha që bëjnë tregti përmes interkonektorëve me fqinjët”, tha Bekteshi në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtorin e EMV-së ku u publikuan masat për kursimin e energjisë elektrike.

Sipas drejtorit SHA EMV, Vasko Kovaçevski, madje kompania punon me kapacitet maksimal sipas kapaciteteve aktuale të termocentraleve dhe resurseve dhe siç shtoi, “plotësojmë nevojat e furnizuesit universal EVN Home për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share