Një nënë e lindur me dy mitra ka sjellë në jetë binjakë ku njëri prej tyre është ngjizur me anë të fertilizimit in vitro dhe tjetri natyralisht, raporton “Daily Mail”.
Madeline Kaklikos 24 vjeç dhe bashkëshorti i saj, Jon, 27 vjeç mirëpritën vogëlushët në Shkurt, pas 10 seancash fertiliteti në 3 vjet.
Mjekët e përshkruajnë rastin e saj si 1 në 50 milionë për shkak se binjakët janë lindur me metoda të ndryshme dhe janë ngjizur në dy mitra. 24-vjeçarja mësoi se kishte dy mitra kur po përpiqej të ngelte shtatzënë, por pa sukses.
Në fillim, mjekët i thanë se me gjasë, ajo nuk do të kishte kurrë fëmijë duke i shkatërruar shpresat. “Më dukej sikur zemra do të më dilte nga kraharori”, tha Madeline.
Pas diagnozës, çifti nisi seancat e fertilizimit in vitro dhe në raundin e 10-të, e reja mundi të ngelte shtatzënë. Nga ana tjetër, ajo mbeti mrekullisht shtatzënë edhe në mitrën e dytë. Çifti kujton mjaft mirë habinë e përjetuar ndërsa u gjendën te mjeku për një kontroll rutinë.
“Kishte disa zhurma kur sonografi skanoi beben e parë dhe menjëherë përjetova panik duke menduar se diçka nuk shkonte”. Pasi Jon pyeti mjekun, ai u përgjigj se kishte një bebe në mitrën tjetër.
“Mbeta gojëhapur dhe bashkëshortit tim i iku ngjyra e fytyrës. Menduam se po tallej me ne”.
Bebja e dytë ishte më e vogël se e para dhe mjekët dyshuan menjëherë se ishte ngjizur në javën pas seancës in vitro.
“Na kishin këshilluar të mos kryenim marrëdhënie gjatë kohës së trasnferimit, por ne nuk i dëgjuam. Ishte seanca jonë e 10-të, kishim kaluar 2 vite duke u përpjekur të bënim një fëmijë por pa sukses dhe s’e imagjinuam kurrë se do të mbetesha rastësisht shtatzënë”.
Mjekët i këshilluan që ta hiqnin një prej foshnjave sepse ekzistonte rreziku që t’i humbnin të dy, por çifti ishte i vendosur për të vazhduar. Madeline lindi në javën e 34-t dhe foshnjat duhet të vendoseshin në inkubator për disa ditë, por sot gëzojnë shëndet të plotë./tvklan.al